Biznes Forumi: Prodhuesit vendës prezantohen para investitorëve potencialë

Prishtinë | 24 Sht 2016 | 22:11 | Nga

Në ditën e tretë të Biznes Forumit në Prizren është bërë prezantimi i firmave prodhuese vendëse. Para vizitorëve të shumtë, në sallën e qendrës sportive “Sezai Surroi” ku po mbahet panairi, u prezantuan firmat prodhuese nga sektorë të ndryshëm.

Organizatori i këtij Forumi që përfshin panair dhe aktivitete të shumta, Levent Bush, potencoi rëndësinë që ka sektori i prodhimit për ekonominë e një vendi.

Ai po ashtu shtoi se takimet ndërmjet bizneseve B2B u treguan mjaft të frytshme me ç’rast janë arritur disa marrëveshje ndërmjet kompanive.

Firmat prodhuese që u prezantuan para investitorëve potencialë nga Turiqia e rajoni janë “Nida Medical”, e cila prodhon pajisje ortopedike; “Fortuna Shoes” që prodhon këpucë, “Fashion Network Industries” që prodhon uniforma e shenja ushtarake-policore, si dhe fabrika “Proton Cable”, prodhues i kabllove dhe përçuesve elektrikë për tension të ulët.

Drejtuesit e këtyre fabrikave theksuan rëndësinë e përkrahjes së prodhimtarisë vendore, si nga institucionet qendrore e lokale, ashtu edhe nga qytetarët.

Ata potencuan prodhimet e tyre kualitative, që shumë prej tyre, tani më kanë filluar eksportin.

Biznes Forumi po organizohet për herë të tretë me radhë, kurse në këtë edicion janë duke marrë pjesë mbi 130 kompani vendore e ndërkombëtare, nga vendet e rajonit, si Shqipëria, Turqia, Bosnia e Hercegovina e vende të tjera.

Prizren Biznes Forumi mbyllet të dielën.

Forum2

Forum 1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme