Agjencia e Privatizimit shpërndau vetëm 16 mln €

Prishtinë | 13 Dhj 2016 | 11:50 | Nga

Agjencia Kosovare e Privatizimit shpërndau 16 milionë euro gjatë këtij viti tek kreditorët për ndërmarrjet e likuiduara, një proces që po vlerësohet se po shkon shumë ngadalë.

Gjatë vitit 2016, Autoritetet e Likuidimit kanë bërë shpërndarjen e 16,051,456.68 milionë eurove tek kreditoret e ish-ndërmarrjeve shoqërore.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, ka thënë se shpërndarja e mjeteve tek kreditorët ka shkuar ngadalë, pasi që ka pengesa për shkak të vendimeve nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës “DHPGJSK”.

“Gjatë vitit 2016 Autoritetet e Likuidimit kanë bërë shpërndarjen e 16,051,456.68 milionë eurove tek kreditoret e ish-ndërmarrjeve shoqërore,”, ka thënë ai.

Kaloshi, ka bërë me dije se ankesat kundër vendimeve të AL-së për 60 deri 80 ndërmarrje shoqërore të mbetura do të ngadalësojnë procesin.

“Takimet dhe korrespondenca me kryetarin e DhPGjSK-s nuk ka rezultuar në një ndryshim të dukshëm në ritmin e punës së tyre. Ne kemi shqetësimin se DhPGjSK-ja nuk do të përfundojë punën e saj në një kohë brenda së cilës OShP-ja do të ishte në pozitë të përmbushë afatin për mbylljen e të gjitha NSh-ve deri më datë 10 korrik 2016”, ka thënë Kaloshi.

Kurse njohësi i zhvillimeve ekonomike në vend, Jakup Bellaqa, ka thënë se AKP-ja është një institucion i rëndësishëm për Kosovë, nga e cila varet shumica e ndërmarrjeve në pronësi shoqërore nga ish sistemi i kaluar.

“Obligimet kontraktuare që i ka ky institucion karshi ish-punëtoreve që t’i kryej në ketë rast 20%-shi, i shpërndarjes duhet të kryhet patjetër dhe pa vonesë dhe të menaxhohen këto mjete nga institucionet përkatëse sipas parimeve te drejtësisë dhe ndershmërie”, ka thënë ai.

Kurse sa i përket Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme, Bellaqa ka thënë se institucionet e Kosovës karshi institucioneve që janë në koordinim me ato ndërkombëtare duhet të kenë konsideratë.

“Kjo është një obligim ndërkombëtar sepse Republika e Kosovës është një projekt Euro-Amerikanë, që e ka financuar dhe deri në fund duhet ti kryem obligimet”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme