“Autoritetet kosovare zbuluan skandalin me mishin e prishur nga Belgjika”

Prishtinë | 10 Mar 2018 | 22:11 | Nga

Çështja e mishit të prishur belg është bërë temë në të gjithë Evropën. Ka qenë një punëtor i kompanisë eksportuese belge të mishit, VEVIBA, që ka treguar se kanë eksportuar mish të prishur në të gjithë Evropë Juglindore dhe në Afrikë, por ai ka pranuar të flas vetëm për Kosovën.

Ai ka thënë se kanë qenë pikërisht autoritetet kosovare që të parat e kanë zbuluar mishin e prishur nga Belgjika në vitin 2016 dhe i kanë njoftuar autoritetet belge.

Pas njoftimit që autoritetet belge kanë marrë nga Agjencia Kosovare e Ushqimit dhe Veterinisë, në këtë shtet kanë nisur hetimet dhe është zbuluar skandali me mishin e prishur, shkruan lajmi.net.

Është dëshmitari i mbrojtur me emrin e koduar “Bruno” që ka folur mbrëmë për televizionin belg RTBF i cili ka thënë se mishi nuk ishte i destinuar për tregun belg.

“Një vend është kthyer si dëshmi. Kosova. Atje është zbuluar mashtrimi me mishin e prishur belg dhe më pas kanë nisur hetimet këtu (në Belgjikë)”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur i cili e ka pranuar se vet ka bërë mashtrime dhe e ka paketuar mish që ishte menduar të dërgohej në Kosovë.

Në intervistë ky dëshmitar tregon se mishi që dërgohej në shtetin e Kosovës ishte i dëmshëm dhe nuk duhej të konsumohej.

Ai madje shpjegoi se nga mishi i freskët rrjedhë gjak i zakonshëm, por në mishin që ishte i destinuar për Kosovë rridhte gjak i gjelbër. “Bruno” po ashtu ka pranuar se ai personalisht ka ndryshuar etiketat e mishit, afati i të cilit tashmë kishte skaduar.

Në anën tjetër,  Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit ka njoftuar se në vitin 2016 në Kosovë janë asgjësuar 20 mijë kilogramë mish i prishur, importuar nga mishtorja e Belgjikës “VEVIBA”.

Zëdhënësi i kësaj agjencie Lamir Thaqi, tha se ky rast ishte zbuluar në Kosovë dhe e njëjta firmë nuk importon më në vendin tonë.

Të ngjashme