Banka Botërore mbështet sektorin e energjisë në Kosovë

Prishtinë | 28 Mar 2017 | 16:42 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banka Botërore mbetet ndër partnerët kryesor të zhvillimit të Kosovës. Qeveria, me këtë institucion financiar, ka një portofolio të madhe me projekte prej më të ndryshmeve.

Kështu u tha në konferencën e përbashkët të ministrit të Financave, Avdullah Hoti, atij të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe drejtorit ekzekutiv në Bankën Botërore, Maximo Torero, ku u fol në lidhje me reformat ekonomike të Qeverisë së Kosovës, me theks të veçantë në sektorin e energjisë.

Drejtori Ekzekutiv i të Bankës Botërore, Maximo Torero, duke folur në emër të delegacionit të këtij institucioni, tha se kanë ardhur në Kosovë për të parë nga afër zhvillimet dhe reformat në sektorin e energjisë.

“Ne jemi duke shikuar se si të mbështesim planin e energjisë siç e shpjegoi edhe ministri. Ne besojmë se është shumë e rëndësishme të rritet miksi i energjisë, dhe këtu nuk është vetëm rritja e efiçiencës që është edhe synim i Qeverisë, por edhe rritja e prodhimit nga Burimet e Ripërtëritshme dhe kalimi në Termocentralin e ri “Kosova e Re”, tha Torero.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se Banka Botërore mbetet partneri kryesor në zhvillimin e Kosovës. “E kemi një portfolio shumë të madhe me Bankën Botërore, me projekte nga më të ndryshmet prej ujërave, bujqësisë, në administratë në sektorin financiar dhe në sektor të ndryshëm. Projektet e Bankës Botërore kanë bërë të mundshëm zhvillimin e sektorëve në të cilët si shtet i ri edhe na ka munguar financimi edhe ekspertiza e nevojshme për të financuar ato projekte”, tha Hoti.

Ai përmendi edhe projekte të reja të bashkëpunimit me Bankën Botërore që ka qeveria në të ardhmen.

“Tash me klauzolën e investimeve ne kemi hapur një mundësi të tretë për të bashkëpunuar me Bankën Botërore nëpër projekte të ndryshme, i falënderoj për kontributin që ka dhënë Banka Botërore dhe jam i bindur që do të vazhdojmë bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që kemi pasur deri tani. Në këto javë jemi duke finalizua strategjinë e re të partneritetit me Bankën Botërore dhe besojmë që do arrijmë  ti adresojmë sfidat që ka Kosova si shtet i ri dhe të cilat janë të identifikuara në strategjinë zhvillimore kombëtare që ka Kosova”, theksoi ai.

Stavileci: Jemi në finalizim të Strategjisë 10-vjeçare të energjisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se Kosova është në fazën përfundimtare të finalizimit të strategjisë dhjetë vjeçare për energjinë.

“Ne së bashku me partnerët tanë nga Banka Botërore ne po rrugëtojmë bashkërisht për të gjetur zgjidhjet më të mira të mundshme për rregullimin e problemeve në fushën e energjisë, në fakt për ta transformuar dhe modernizuar sektorin me një strategji e cila përfshinë në vete objektiva të shumta në kuadër të një miksi energjetik i cili mundëson që ne të bëjmë zgjidhje të drejta dhe të arsyeshme për ti rregulluar të gjitha problemet dhe mbi të gjitha për ti arritur dy objektiva kryesore, atë të sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe atë të përballueshmëris së çmimeve”, tha Stavileci.

“Ky është një projekt që ne që nga dita e parë kemi bashkëpunuar me Bankën Botërore, jemi dakorduar pothuajse në të gjitha hapat, në mënyrë që të ecim në një rrugë e cila është e pranueshme për të gjitha palët duke i përfshirë kriteret e dhëna edhe nga Banka Botërore por edhe objektiva që ne i kemi vënë si shtet, pra për t’i bërë zgjidhjet e duhura në sektorin e energjisë”, tha ai.

“Jemi në fazën përfundimtare të finalizimit të strategjisë dhjetëvjeçare për energjinë që është një miks i zgjidhjeve me të cilat ne do të mund ta përmbushim kriterin e furnizimit me energji elektrike dhe atë të përballueshmërisë së çmimeve. Edhe në jemi në fazën e ndërtimit të kapaciteteve të reja dhe atë gjenerimit të atyre të vjetrave të cilat plotësojnë standardet e kërkuara të zbatimit të masave të efiçiencës dhe të energjisë së ripërtëritshme në mënyrë që të krijojmë një treg të qëndrueshëm që ka për qëllim liberalizimin e tregut por edhe të çmimeve”, theksoi Stavileci.

Torero: Kosova e ka përkrahjen e Bankës Botërore

Drejtori ekzekutiv në Bankën Botërore, Maximo Torero, tha se Kosova e ka përkrahjen e Bankës Botërore për zhvillimin ekonomik të saj.

“Unë përfaqësoj bordin e Bankës Botërore ne kemi ardhur për të parë sektorin e energjisë, megjithatë Kosova është duke u rritur, ekonomia është duke u përmirësuar dhe ne besojmë që është një mundësi që të realizohet ky miks plani në energjinë e ripërtërishme dhe integrimi e tregut energjetik në sektorin e regjional të energjisë. Ideja jonë pra këta tetë anëtar ishte që të vijmë të shohim se çka po bënë Banka Botërore në aspektin operacional dhe të shohim mundësit për të vazhduar bashkëpunimet”, tha ai.

Torero theksoi se me përpjekjet e qeverisë dhe Bankës Botërore mund të bëjnë që të zhvillohet ekonomia dhe të ulet papunësia në Kosovë.

Të ngjashme