Beqaj para studentëve të AUK-ut: Do të krijojmë Institutin për Inovacion

Prishtinë | 19 Mar 2018 | 13:22 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Ndërrmarrësisë dhe Inovacionit, Besim Beqaj ka vizituar Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), ku zhvilloi takim edhe me presidenten e këtij kolegji, Sharon Hart.

Në këtë vizitë Beqaj para studentëve ligjëroi për fillet e ministrisë, prioritetet si dhe angazhimin e tij për të ndihmuar studentët në fushën e inovacionit dhe ndërrmarrësisë, raporton Ekonomia Online.

Beqaj tha se mënyra e vetme që rrit zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të bëhet konkurruese në treg është fusha e inovacionit.

“Jeni me fat që keni mundësinë të mësoni sipas modelit amerikan dhe po ashtu të keni një diplomë me një përvojë amerikane. Kur flas për zhvillimin ekonomik në vend besoj që mënyra e vetme që Kosova të bëhet konkurruese dhe të krijoj identitet ekonomik me vendet tjera janë inovacionet”, ka thënë Beqaj.

Ai njoftoi studentët se MIN është duke ndërrmarrë hapa për krijimin e një instituti për inovacion dhe një strategji të inovacionit ku ai beson se deri në qershor të këtij viti Kuvendi do ta miratojë këtë strategji.

“Ne mund të vërejmë që koha e revolucionit, inovacionit është shpejtuar, pra gjërat po lëvizin më shpejtë në këtë mënyrë dhe për këtë arsye ne e kemi krijuar Ministrinë e Inovacionit në mënyrë që t’i shfrytëzojmë dijeninë, mundësitë, globalizimin dhe të zbatojmë këto njohuri në zhvillimin ekonomik dhe ne jemi duke e bërë një strategji të inovacionit dhe po mendojmë të krijojmë një institut që merret me inovacion. Kjo strategji besoj që do të miratohet nga parlamenti deri në Qershor dhe jam duke tentuar të bëjë lidhje me universitetet tjera në mënyrë që të kemi shkëmbime idesh edhe me universitetet tjera”, ka shtuar ai.

Ndërsa presidentja e kolegjit AUK, Sharon Hart tha se Kosova ka mundësi të mëdha të bëhet inovatore në botë në shumë sektor të ndryshme.

“Kosova mund të bëhet inovatore në vendet e botës në shumë lëmi”, ka thënë Hart.

“Ministri mundet të këmbejë me ju dijen që e ka përfituar gjatë përvojës së tij, po ashtu isha e impresionuar kur dëgjova që ka pasur përvojë në ministritë e ndryshme në Kosovë në lëmi e ndryshme dhe besoj që e dini prej përvojës së tij, pra gjatë përgjegjësive së tij si ministër i financave e përvojave tjera ka pasur përgjegjësi që janë lidhur me integrimin e Kosovës në shumë fusha”, ka thënë ajo.

 

Të ngjashme