ARKEP: ITU-ja ndan vetëm kode shtetërore

Prishtinë | 24 Nën 2016 | 08:31 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kodi telefonik +383 që do t’i ndahet Kosovës sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, nuk është kod gjeografik, por kod shtetëror. Ky kod është i ngjashëm me ato të shteteve të tjera, sepse Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) ndan vetëm kode shtetërore.

Kështu ka thënë drejtori i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online. Sipas tij, nga ky kod Kosova përfiton në aspektin shtetëror, por dhe i kursen miliona euro.

“Përfitime të mëdha ka edhe në aspektin ekonomik, janë analizuar në masë të madhe humbjet që janë shkaktuar në mënyrë direkt për të dy operatorët tanë që nga pas lufta e deri më tani. Ato humbje kanë rezultuar rreth 220 milionë euro”, ka thënë Gashi.

Ai shpjegon se operatori serb me hyrjen në tregun e Kosovës, do të paguajë për resurset frekuencore që i ka në dispozicion, ndërsa për funksionalizimin e tij do të shfrytëzojë antenat që deri më tani kanë funksionuar në mënyrë ilegale.

“Marrëveshja parasheh funksionim të përkohshëm të këtij operatori deri në hyrjen e tretë të operatorit të telefonisë mobile në Kosovë. Sa i përket infrastrukturës, parasheh që funksionimi i saj të vazhdojë mbi bazën e infrastrukturës që ka ekzistuar dhe që ka qenë MTS-ja, por tani kemi një kompani të re që është themeluar në Kosovë dhe do të ketë mundësi që ta shfrytëzojë atë infrastrukturë që është investuar që prej pas luftës në Kosovë në mënyrë ilegale”, ka thënë Gashi.

Ai flet edhe për rregullimin e çështjes së aplikacioneve mobile që po ia humbin të hyrat operatorëve në vend, për brezin frekuencor e çmimet e vendosura për operatorët mobilë për resurse shtesë në 3G dhe 4G, për të cilat janë ankuar operatorët mobil në vend…

INTERVISTA E PLOTË:

kreshnik

EO: Marrëveshja për kodin telefonik +383 tashmë është arritur në Bruksel. Por, Serbia po e quan kod gjeografik e institucionet tona – kod shtetëror. Cili është vlerësimi juaj si ekspert, a është e vërteta diku në mes?

Gashi: Kodi 383, do të jetë kod shtetëror i Republikës së Kosovës. E vërteta është se kodi 383 është kod i ngjashëm sikur i të gjitha shteteve të tjera, edhe nëse i marrim vendet e rajonit të gjitha i kanë kodet e ngjashme. Nëse fillojmë nga Maqedonia 389, Serbia, 381, Mali i ZI 382. Shqipëria 355 e kështu me radhe. Kodi 383 është kod shtetëror, për faktin se Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU), në terminologjinë e saj, me vendimin e saj që do të marrë për Kosovën, e bazon në rekomandimin e saj që është rekomandimi i 164 ku përcaktohet se ekzistojnë vetëm kodet shtetërore që ndahen. Prandaj, si e tillë në terminologjinë e ITU-së, nuk ekziston kodi gjeografik. Ekziston vetëm kodi shtetëror. Prandaj, Republikës së Kosovës do t’i ndahet një kod shtetëror i Republikës së Kosovës, i cili kod do të ekzistojë sa do që ekziston Kosova do të ketë vazhdimësinë e tij dhe do t’i mundësojë që të gjithë operatorëve që funksionojnë në Republikën e Kosovës që thirrjet t’i kryejnë nëpërmjet tij.

EO: Çka do të përfitojë Kosova nga ky kod telefonik? Si do të rrjedhin të gjitha procedurat e bartjes së kodeve të tjera në +383?

Gashi: Kosova me kodin 383 përfiton në aspektin shtetërorë në rend të parë ku kodi shtetërorë i mundëson që të krijon identitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare si vend i pavarur në aspektin e funksionalizimit të telefonisë qoftë mobile, qoftë fikse. Po ashtu, përfitime të mëdha ka edhe në aspektin ekonomik, janë analizuar në masë të madhe humbjet që janë shkaktuar në mënyrë direkte për të dy operatorët tanë që nga pas lufta e deri më tani. Ato humbje kanë rezultuar rreth 220 milionë euro. Unë, besoj që ka edhe humbje indirekte që janë shkaktuar si pasojë e mungesës së kodit e të cilës shifrat nuk janë analizuar saktësisht, por edhe humbjet e tilla mund të shkojnë në qindra miliona euro. Vetëm tani në vitin që jemi, janë rreth 10 milionë humbje si pasojë e përdorimit të kodeve të ndryshme për të dy operatorët e telefonisë mobile. Këto humbje që në rastin e marrjes së kodit do të shndërrohen në fitime të kompanive tona, të operatoreve të telefonisë mobile, do të shfrytëzohen për përmirësim të infrastrukturës të telefonisë në rend të parë, por edhe do të mundësojnë që qytetarët tanë të flasin me çmime më të lira. Prandaj, këto përfitime nga marrja e kodit janë shumë dimensionle. Në rend të parë, Kosova pavarësohet plotësisht në fushën e telekomit dhe njihet nga institucioni kryesor ndërkombëtar që i jep kodet e telefonisë, që është ITU-ja… Do të kemi edhe kodin tjetër që është mobile “Country Code” (MCC), ai do të jetë 212, që është numri, i cili identifikohet çdo përdorues në botë i telefonisë mobile, pra edhe në atë aspekt e fitojmë pavarësinë. Po ashtu, do të ndahet edhe kodi për sinjalizim, i cili shërben për arritje të interkonjeksionit në mes operatorëve tonë dhe operatorëve në botë. Do të thotë, është një pako komplete, e cila mundëson që Kosova të ketë pavarësinë e plotë në fushën e telekomit me marrjen e këtyre kodeve nga ITU-ja.

EO: Sa i përket brezit frekuencor, ARKEP-i ka vendosur çmime për operatorët mobilë për resurse shtesë në 3G dhe 4G. Vala dhe IKPO janë ankuar se kostoja është diku tri herë më e lartë sesa e vendeve të rajonit? A do t’i vendoset edhe operatorit serb MTS kjo tarifë kur të licencohet për 3G dhe 4G?

Gashi: Në vitin 2013, me hyrjen në fuçi të ligjit të ri për komunikimet elektronike, është vendosur parimi i neutralitetit teknologjik si një masë stimuluese për zhvillimin e teknologjive të reja. Ky parim i neutralitetit teknologjik i ka mundësuar që secilit operatorë që në brezin që e shfrytëzon të përdor cilën do teknologji, sigurisht që edhe operatori serb me hyrjen në treg në Republikën e Kosovës, do të paguajë për resurset frekuencore që i ka në dispozicion. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se në enumeracion do të jetë i kufizuar në funksionim gjeografik dhe këto kufizime sigurisht do të reflektohen edhe në pagesat që ai i bënë për frekuencat që i ka në dispozicion.

EO: A do të lejohet për kohë të kufizuar operimi i këtij operatori (MTS), si përcaktohet në marrëveshje? A do të legalizohen antenat e Serbisë që kanë qenë deri më tani?

Gashi: Marrëveshja parasheh funksionim të përkohshëm të këtij operatori deri në hyrjen e tretë të operatorit të telefonisë mobile në Kosovë. Ndërsa, sa i përket infrastrukturës, parasheh që funksionimi i saj të vazhdojë mbi bazën e infrastrukturës që ka ekzistuar dhe që ka qenë MTS-ja, por tani kemi një kompani të re që është themeluar në Kosovë, është regjistruar në Kosovë, në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe ajo do të ketë mundësi që ta shfrytëzojë atë infrastrukturë që është investuar që prej pas luftës në Kosovë në mënyrë ilegale. Megjithatë, hapi kryesor këtu është futja e tyre në kornizën legjislative dhe rregullatorit të Republikës së Kosovës, ku ata kanë pranuar dhe kanë nënshkruar se do të funksionojnë në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës, për këtë është garanci BE-ja dhe do të funksionojnë deri në momentin, kur Republika e Kosovës e fut në treg operatorin e tretë duke shpallur tender në bazë të standardeve ndërkombëtare në të cilën nuk do të diskriminohen, por nuk do të favorizohet askush, dhe hyn operatori i trete në bazë të rregullave dhe parimeve që janë të vendosura edhe nga BE-ja, por edhe nga ITU-ja.

EO: Kur pritet të jepet licenca edhe për një operator të tretë, a ka vend për një të tillë kur dihet se të hyrat e operatorëve ekzistues janë në rënie?

Gashi: Futja në treg e operatorit të tretë, do të jetë me vendimmarrje të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me ARKEP-in. Ekzistojnë planet për hapjen e brezit frekunecor dhe një afat optimal, është një dy vjeçar. A ka hapësirë në tregun e Kosovës për një operatorë të tretë, kjo mbetet të shihet. Unë konsideroj se ka hapësirë të mjaftueshme për një operatorë të tretë për shkak se në vendet e rajonit ka praktika të tilla, kryesisht janë tre operatorë, po ashtu me zhvillimin e vazhdueshëm të teknologjisë, dhe investimet në teknologji për futjen e operatorit të tretë kanë rënë dukshëm. Nuk kemi më të bëjmë me qindra miliona euro për ta themeluar një operatorë në Republikën e Kosovës, sigurisht që tarifa e licencës është diçka tjetër, por me zhvillimin e teknologjisë, me hyrjen e teknologjive sidomos 4G, atëherë në masë të madhe kanë rënë çmimet e teknologjisë që nevojiten për instalimin e antenave, për instalimin e centraleve telefonike, prandaj unë, konsideroj se do të jetë e dobishme për qytetarët që të kemi një operatorë të tretë të licencuar ashtu sikurse janë operatorët e tjerë.

EO: Si mund të rregullohet çështja e aplikacioneve mobile që po iu humbin të hyra operatorëve, sepse në botë ka shumë shembuj se si shtetet ose rregullatorët e telekomit kanë bërë që Viber, Skype etj, të paguajnë taksa për operim brenda territorit të tyre?

Gashi: Kjo është një pyetje mjaftë interesante, në të cilën fatkeqësisht ende as autoritetet evropiane, nuk kanë gjetur përgjigje. Korniza aktuale e rregullimit të komunikimeve elektronike në Kosovë është në përputhje me kornizën aktuale të komunikimit elektronik të BE-së dhe si rezultat, parimi i neutralitetit teknologjik, është një ndër parimet themelore. Parimi i mos diskriminimit të komunikimeve elektronike dhe përmbajtjes së tyre, është një nga parimet themelore. Është shumë vështirë e mundur që brenda kornizës aktuale ligjore, të diskriminohet një lloj trafiku qoftë këto ORT, me gjithë faktin se ato i kanë shkaktuar konkurrencë të madhe operatorëve të telefonisë mobile, veçmas në Kosovë për shkak të moshës së re mesatare, për shkak të depërtimit pak të vonshëm të shërbimeve të reja 3G dhe 4G si dhe për shkak të shpërndarjes shumë të madhe të rrjetit WIFI. Megjithatë, shumë operatorë në botë, ata, tashmë nuk i shohin si konkurrentë, por si partnerë. Për shkak se shumë qytetarë i blejnë shërbimet e tyre pikërisht për shkak të këtyre shërbimeve. Megjithatë në BE në proces është duke u rishikuar korniza rregullatore komplet e telekomunikimeve elektronike që do të quhet kodi i telekomunikimeve elektronike. Drafti i parë nga Komisioni Evropian është përgatitur, pritet të kalojë filtrat nga Parlamenti Evropian. Ne do të marrim shembull për bazë të analizimit të tyre dhe gjithmonë jemi duke analizuar në vazhdimësi dëmet eventual që i shkaktojnë këto shërbime. Megjithatë, korniza jonë dhe parimet tona janë të ngjashme me ato që rregullohen në Evropë. Nuk mund të dalim jashtë tyre, dhe çdo shembull që mund të merret nga shtet e ndryshme duhet të jetë shembull i vendeve të BE-së. Ne nuk mund të marrim shembull të vendeve të Afrikës, që ka raste se e kanë ndaluar Viber Whatsup vendet e Amerikës Latine. Ne duhet të kemi kujdes që në rendë të parë të kemi interesat e qytetarëve të Kosovës, interesat e qytetarëve janë që të komunikojnë sa më lirë dhe sa më lehtë. Megjithatë, duhet që ato komunikime të jenë të rregulluara të kenë standard të caktuara, të jenë të pranueshme edhe organet e zbatimit të ligjit të kenë qasje në to dhe të gjitha këto janë duke u marrë parasysh. Megjithatë limitet janë ligji aktual dhe korniza aktuale evropiane e telekomunikimeve elektronike.

Lexo më shumë:

Të ngjashme