BQK-ja merr mbështetje nga Banka për Rezervë Federale e Nju Jorkut

Prishtinë | 21 Pri 2017 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë qëndrimit në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahen në Uashington D.C në ShBA ka pranuar mbështetjen e Departamentit të Shtetit dhe Thesarit Amerikan për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Për të thelluar bashkëpunimin në mes të BQK-së dhe Bankës Federale të Nju Jorkut (Federal Reserve Bank of New York), Guvernatori Hamza dhe zv.presidentja e Bankës Federale të New York-ut, Anne Baum nënshkruan marrëveshje në fushën e menaxhimit të mjeteve dhe investimeve.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje fuqizon rëndësinë e bashkëpunimit në sferën e menaxhimit të mjeteve dhe investimeve, si dhe ngritjen  e kapaciteteve të BQK-së.

Nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje i ka paraprirë bashkëpunimi i vazhdueshëm i BQK-së me autoritetet e thesarit amerikan dhe me përfaqësues të Bankës Federale të New York-ut. Gjatë këtij muaji në BQK  ka qëndruar një delegacion i lartë i Bankës Federale të New York-utpër të diskutuar mbi praktikat më të mira të menaxhimit të rezervave në mes të dy institucioneve.

Gjatë qëndrimit në Uashington Guvernatori Hamza është takuar me Zëvendësasistent –Sekretarin e Departamentit të Thesarit Amerikan, Lary McDonald, ku është diskutuar lidhur me zhvillimet në sektorin financiar të vendit dhe me këtë rast Hamza ka marrë përkrahje për vazhdimin e mbështetjes përmes asistencës teknike për BQK-në.

Delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Hamza ka zhvilluar takime edhe me drejtoreshën ekzekutive të Konstituencës për Kosovën, Michaela Erbenova, drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, Poul Thomsen, zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN-së Tao Zhang, me ç‘rast u diskutua për zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe për implementimin e programit të  FMN-së .

Gjithashtu, gjatë kësaj vizite Guvernatori është takuar me drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Franc Godts, zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore, Cyril Muller dhe drejtoreshën për Evropën Juglindore, Evropë dhe Azi Qendrore, Ellen Goldstein.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme