Buxheti humbi 48 milionë nga MSA-ja dhe politikat fiskale

Prishtinë | 29 Dhj 2016 | 11:53 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Marrëveshja për Stabilizim Asociim (MSA) dhe politikat fiskale ndikuan që Dogana e Kosovës të mbledhë 48 milionë euro më pak. Por, me implementimin e tyre përfituan bizneset dhe kategoritë e tjera ekonomike.

Si rezultat i pakos fiskale ka pasur minus 23 milionë lirime të ndryshme të lëndëve të para për makineri dhe produkte tjera, dhe ka pasur minus 25 milionë euro si rezultat i zbatimit të MSA-së nga data 1 prill e këtij viti. Pra në total kemi 48 milionë euro më pak për shkak të politikave fiskale dhe MSA-së.

Kështu thanë në konferencën e përbashkët të fundvitit për media, ministri i Financave, Avdullah Hoti, dhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Doganës, Fahri Gashi, me ç’rast shpalosën punën e bërë nga ky institucion.

“Ndikimi i të hyrave është edhe nga implementimi i MSA-së dhe Pakos Fiskale 1. Të dyja këto së bashku kanë grumbulluar rreth 25 milionë euro. Por të hyrat në Doganën e Kosovës këtë vit kanë qenë rekord me mbi 1 miliard euro”, ka thënë Gashi.

Ministri Hoti tha se tri ditë para përfundimit të vitit Dogana ka tejkaluar projeksionin duke mbledhur 1 miliard e 40 milionë euro.

Hoti ka përgëzuar Doganën për luftimin e kontrabandës. “Viti 2017 do të jetë edhe më sfidues, ngase në projeksion janë 1 miliard e 108 milionë euro”, ka thënë ai.

Kreu i MF-së është përgjigjur edhe në pyetjet e gazetarëve lidhur me konkursin për drejtor të Doganës.

“Është kodi doganor që e obligon Ministrinë e Financave që të shpall konkurs në mbarim të mandatit të drejtorit. Në tetor është kryer mandati dhe është hapur konkursi, por mandej është arritur një marrëveshje mirëkuptimi në mes Ambasadës së Britanisë mes kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, e kemi hapur përsëri konkursin për të marrë parasysh edhe disa kërkesa të Ambasadës Britanike dhe kompanisë, e cila është angazhuar nga ambasada për të udhëhequr konkursin. Konkursi ka pasur numër të madh të aplikantëve, dhe tani janë duke u shqyrtuar procedurat e aplikimit”, ka thënë Hoti, duke shtuar se ky proces është transparent.

Po ashtu u tha se në aspektin e sigurisë, Dogana ka kryer një punë të mirë, ku në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arritur të konfiskojnë qindra kilogramë lëndë narkotike, e që vetëm në 10 ditët e fundit konfiskuan 243 kg substanca narkotike.

Të ngjashme