BQK: Kosova po i kalon sfidat bankare me ndihmën e bashkëpunëtorëve

Prishtinë | 14 Nën 2017 | 10:01 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka organizuar konferencën ndërkombëtare “Qasja në financa, kreditimi bankar dhe sektorët bankarë në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”.

Fehmi Mehmeti, ushtrues detyre i guvernatorit të BQK-së, me këtë rast tha se sfidat bankare janë të mëdha, por  Kosova bashkë me bashkëpunëtorët e saj po arrijnë t’ ia dal.

“Zhvillimet e para krizës së fundit dhe ato gjatë krizës dhe pas krizës kanë rikujtuar se sektori bankar paraqet një shtyllë shumë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik kur nuk ecë mbarë mund të jetë edhe një burim i problemeve  për vendin. Prandaj konferencat si kjo paraqesin një mundësi shumë të mirë për të parë se nga po ecin sektorët bankare të rajonit dhe si po zhvillohet lidhja e tyre me ekonominë ku po veprojmë”.

Në anën tjetër, Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza tha se kjo konferencë është inkurajuese, pasi rritjet ekonomike në rajon dhe më gjerë janë më optimiste se sa më parë, raporton Ekonomia Online.

“Për shumë vende të Evropës e veçanërisht të Ballkanit Perëndimor janë dy çështje të rritjes. Për disa janë të mjaftueshme,  për ne nuk janë të mjaftueshme. Ne duhet të eliminojmë sfidat e papunësisë, bilancin bankar. Natyrisht një rritje më e lartë na duhet në konvergjencën e shteteve të Bashkimit Evropian”.

“Duhet të jemi konsistent në këtë drejtim, në mënyrë që sektorit privat t’i mundësohet një ambient më i mirë i  të bërit biznes. Qeveria me ndihmën e donatorëve ka formuar fondin për bizneset e vogla dhe të mesme. Në vitet në vazhdim do vazhdojmë  me përkrahjen edhe me të madhe të këtyre bizneseve”, u shpreh ministri Hamza.

“Për sa i përket stabilitetit fiskal, Qeveria e Kosovës si gjatë viteve të kaluara, dhe në vitet në vijim, do të vazhdoj me politikat e saja buxhetore të kujdesshme, për tu siguruar se deficiti buxhetor mbetet në nivelet e pranueshme; që përbërja strukturore e buxhetit të jetë adekuate, dhe që niveli i borxhit publik të jetë i menaxhueshëm. Ndërsa, për sa i përket reformave strukturore, ne kemi bërë një punë mjaft premtuese, gjë që është reflektuar me raportin më të fundit të Bankës Botërore ‘Të Bërit Biznes’. Sipas këtij Raporti, Kosova renditet në top-dhjetëshin e vendeve më reformatore në Botë, dhe ka kërcyer për 20 vende të renditjes botërore, duke arritur kështu në vendin e 40”, shtoi Ministri Hamza.

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Ruud Vermeulen, i cili është pjesë e kësaj konference paraqiti prezantimin e tij me temën “Sistemi bankar në Ballkanin Perëndimor’’, me ç’ras tha se kriza e kreditimit po i pengon bankat.

“Të hyrat për kokë banori janë 2/3 në këtë pjesë. Pas krizës  së kreditimit ka ngecur dhe mbetja e kësaj krize ende po i pengon bankat. Ka ndryshime mes vendeve p.sh Kosova ka ulje kurse Mali i Zi ka një rritje në kreditim. Për rajonin në tërësi financimi nga bankat e huaja është në rritje. Në përqindje sa i përket financimit të bankave të huaja ne Ballkanin Perëndimor është e madhe”, tha Vermeulen.

Pjesë e kësaj konference, që organizohet në bashkëpunim me Bankën Kombëtare të Austrisë dhe Bankën Investive Evropiane, janë përfaqësues nga bankat qendrore të rajonit dhe më gjerë, institucione financiare ndërkombëtare dhe banka komerciale.

Lexo më shumë:

Të ngjashme