“Digitalks” mbledh qindra ndërmarrës e ekspertë, me qëllim nxitjen e inovacionit

Prishtinë | 11 Tet 2018 | 21:05 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Konferenca Ndërkombëtare “DIGITALKS”, nën organizimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ka mbledhur në Prishtinë qindra ndërmarrës e ekspertë të ekonomisë, politikëbërës të nivelit të lartë, akademikë dhe palë të tjera të interesit, të cilët për dy ditë do të ndajnë dhe shkëmbejnë praktikat dhe politikat më të mira për nxitjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë me fokus të veçantë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në hapje të konferencës, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se synojnë që kjo konferencë të bëhet vjetore, duke i dhënë përkrahje ekonomisë kosovare në harmoni me Agjendën Digjitale të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

“Jeni ju liderët e rinj të cilët çdo vit në Prishtinë do takohen të shkëmbejnë mendimet për zhvillimin dhe jetës më të mirë. Në botë janë duke ndryshuar gjërat në mënyrë rapide. Nga një ekonomi tradicionale në një ekonomi digjitale. Çdo vit, ekonomia digjitale e BE-së po rritet për 12 për qind në kushte kur sektorët e tjerë po shënojnë rënie”, tha Beqaj, raporton Ekonomia Online.

“Kemi mbledhur përfaqësues politikë, nga sektori privat e shkenca. Zemra dhe shpirti i çdo shoqërie është inovacioni. Si politik bërës jemi të përkushtuar që integrimi i vendeve tona të shkojë përmes integrimit ekonomik”, theksoi Beqaj.

“Ekonomia e internetit po krijon pesë vende pune online për çdo dy vende pune të humbura offline. Çdo vit, ekonomia digjitale e BE-së po rritet me 12%, në kushtet kur sektorët tjerë po shënojnë rënie. 7 milionë vende pune po krijohen në vendet e BE-së në sektorin e TIK-ut. Investimi në teknologjitë e avancuara në vendet e BE-së po e rritë për 50% shkallën e produktiviteti”, theksoi Ministri Beqaj.

Në ceremoninë hapëse të Konferencës “DIGATALKS” para të pranishmëve foli dhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha se Kosova duhet të fokusohet në edukimin e fuqisë punëtore, duke shfrytëzuar mundësitë e mira që teknologjia dhe tregu ofron.

“Konferenca dhe pikëtakime të tilla na mundësojnë që të identifikojmë sfidat me të cilat përballemi si institucione. Ekonomia digjitale është duke u zhvilluar me ritëm marramendës dhe paraqet rol kyç në zhvillimin e inovacionit”, tha Jahjaga, Raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, tha se zhvillimi i vendeve të rajonit, veçanërisht i Kosovës dhe Shqipërisë, ndikohet nga zhvillimi i teknologjisë dhe inovacionit.

“Mendoj që ekonomitë tona e kanë shumë të rëndësishme zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit. Jam besim të plotë teksa shoh kolegët e mi kur jemi në të njëjtat valë në lidhje me pjesën e inovacionit”.

Se shtetet duhet të fokusohen në edukimin e të rinjve, e tha edhe Justina Mutale, presidente e ”Justina Mutale Foundation” nga Afrika.

“Ne jemi një njerëz të njëjtë; edhe këtu janë shumë mikpritës, të gjithë më përshëndetnin. Kjo është mënyra se si jemi ne në Afrikë”, tha ajo në fillim të fjalimit.

“Jam avokuese për të rinjtë, por avokoj e shtyj përpara sidomos gratë dhe vajzat. Bota po kalon nëpër një epokë tejet interesante. Në këtë revolucion kërkohen aftësi e shkathtësi për të rinjtë tanë. Ne kemi krijuar një program bursash për gratë e margjinalizuara që kanë nota të shkëlqyeshme akademike… Është thënë se kur edukoni një grua edukoni tërë komunitetin. Kur flasim për ekonominë digjitale duhet të marrim parasysh se duhet të arsimojmë të rinjtë, fëmijët tanë “.

Nicholas Langridge, zëvendëspresident për avancimin i Universitetit James Madison të ShBA-së, po ashtu, inkurajoi që të arsimohen dhe të kenë një qëllim në jetë.

Konferenca “DIGITALKS” do të vazhdojë edhe nesër, në ditën e dytë, me pjesën politike dhe ekspertizën profesionale. Në pesë panele do te diskutohet për temat “Ekonomia Digjitale- shtytës i zhvillimit ekonomik“, “Roli i Inovacionit në të ardhmen e digjitalizimit për vendet e Ballkanit Perëndimor”, “Ndikimi i Inovacionit dhe Teknologjisë në rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin privat”, “Ndikim i Inovacionit, hulumtimit dhe zhvillimit në mes të sektorit privat dhe komunitetit të shkencës”, si dhe “ Parku Gjermano-Kosovar për Inovacioni dhe Trajnime”.

Para pjesëmarrësve të konferencës do të flasin kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli; zv.kryeministri Enver Hoxhaj; komisionerja Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel dhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësise, Besim Beqaj.

Të ngjashme