Eksportuesit ankohen: Disbalanci i madh mes eksportit dhe importit, i pafavorshëm për bizneset

Prishtinë | 16 Kor 2018 | 08:21 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Shoqatës së Eksportueseve në Kosovë, Nexhet Hasani, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Kosova është në një gjendje të keqe sa i përket balancimit të eksportit dhe importit.

Ai ka bërë të ditur se vetëm në vitin 2017 ka pasur 2 miliardë e 600 milionë euro importe dhe 420 milionë euro eksport. Sipas tij, ky është një disbalancë shumë i madh dhe duhet sa më shpejt Qeveria  e Kosovës të ndërmarrë masa për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

“Fatkeqësisht gjendja e prodhimeve dhe eksporteve në përgjithësi është mjaft e rëndë. Kemi disbalancë jashtëzakonisht të lartë të pagesave në botën e jashtme, kemi importe për vitin 2017, 2 miliardë e 600, në raport me eksportet e Kosovës që kanë qenë diku rreth 420 milionë. Kemi një disbalancë shumë të lartë me pagesat e botës së jashtme, diku në importet i mbulojmë me 13% më shumë. Ky është një disfavor shumë i lartë i Kosovës”, tha Hasani.

“Kosova me këtë eksport që ka, mendoj që është një element shqetësues dhe Qeveria, edhe njerëzit e ekonomisë, ekspertët që merren me këtë lëmi e dinë që eksporti është një prej veprimtarive kryesore që ndikon në zhvillimin ekonomik. Pos konsumit të investimeve kapitale, eksporti është ndër faktori i dytë i cili ndikon në zhvillimin ekonomik të çdo vendi. Është element shqetësues dhe qeveria duhet të ndërmarrë diçka që ta ndërrojë këtë gjendje”, tha Hasani.

Hasani tha se në vendet e tjera prodhuesi ndihmohet nga shteti në mënyrë që të stimulohen kompanitë për prodhim më të mirë. Sipas tij, e njëjta do të duhet të bëhej edhe në Kosovë.

“Qeveria me reformat e fundit fiskale që i ka bërë me masat fiskale kanë bërë ndryshime që e favorizojnë prodhimtarinë e Kosovës, janë heqë doganat me importin e lëngët dhe pajisjet teknologjike i cili është element i mirë, por me zhvillu eksportin duhet të ndërmerren edhe masa të tjera. Shtetet tjera e subvencionojnë prodhuesin vendor që eksportojnë, duke i dhënë pajisje, toka falas, etj., i stimulojnë kompanitë që të kenë prodhim më të madh”, shtoi Hasani.

Sipas Hasanit, në krahasim me vitet e kaluara, eksporti në vendet e BE-së ka rënë dukshëm.

“Ne kemi rreth 32% eksporte në vendet e Bashkimit Evropian, si Italia, Gjermania, shtetet e Beneluksit që kanë importe më shumë nga Kosova, është eksport i rregullt i Kosovës, ndërkaq para 4-5 viteve ne kemi pasur rreth 40% eksporte në vende të Bashkimit Evropian, por kryesisht më shumë kanë qenë nga industria e metalit konkretisht koncentratet e Plumbit, Zinku, Ferronikeli. Ferronikeli para disa viteve ka pasur eksport të bujshëm, diku 150 milionë eksporte në vit dhe ajo e ka rritë këtë gjendje dhe struktura e eksporteve ka qenë më e mirë se që e kemi tani”, deklaroi tuje Hasani për EO.

“Tani kemi gjendjen e rëndë edhe këto masat e fundit që janë ndërmarrë e sidomos me futjen e Kosovës në marrëveshjen e  stabilizim asocimit i dëmton shumë pasi që kërkohen standarde të larta nga BE dhe ne do të jemi për një periudhë të shkurtë shumë të hendikepuar, sepse Kosova nuk ka institucione që merren me certifikim dhe standardizim dhe do të jetë një periudhë mjaft e vështirë edhe për disa vite”, tha Hasani.

“Kemi industrinë e mishit, e cila është jashtëzakonisht mirë e zhvilluar në Kosovë. Kemi 4-5 fabrika që janë konkurrente me fabrikat më moderne të BE-së, mirëpo për shkak të certifikatave dhe standardeve të ndryshme ata nuk munden për një periudhë të caktuar me eksportu. Industria e ushqimore dhe lëngjeve ka një eksport të mirë dhe mund të themi që kemi fabrikat më të mira të regjionit sa i përket përpunimit të lëngjeve dhe paketimit të tyre”, tha ai.

Hasani shtoi se me shtetin e Serbisë ka një disbalancë të lartë të eksport-impotit. Sipas tij, ka mbi 400 milionë importe zyrtare nga Serbia në Kosovë.

“Kam dëgjuar se në Serbi ka më shumë se 500 milionë eksport në tregjet e Kosovës, janë mbi 100 milionë importe që vijnë nga Serbia dhe nuk regjistrohen fare, nga rruga e veriut që hyjnë në të zezë dhe ka disbalancë të lartë, ndërkaq eksport të Kosovës janë diku rreth 30 milionë”, tha Hasani.

Të ngjashme