Ende pa formulë për OJQ-të që japin kredi me interes “marramendës”

Prishtinë | 14 Maj 2018 | 07:56 | Nga

Institucionet e vendit ende nuk kanë gjetur një zgjidhje për institucionet mikrofinanciare që veprojnë nën petkun e organizatave joqeveritare.

Këto institucione që kishin filluar të funksiononin si organizata humanitare, duke shpërndarë donacione si kredi, janë transformuar në biznese që menaxhojnë mbi 150 milionë euro në vit, shumë kjo për të cilën nuk paguajnë fare tatim, pasi veprojnë si OJQ.

Për të rregulluar çështjen e tyre, Qeveria ka miratuar Projektligjin për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithatë, ky projektligj ka hasur në kundërshtim nga deputetët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, të cilët kanë nisur procedurat për gjetjen e një zgjidhjeje për, siç kanë thënë, anomalinë e krijuar tash e 20 vjet.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, deri në mars të këtij viti shuma e kredive në këto 21 institucione mikrofinanciare që veprojnë në Kosovë ka arritur në 153 milionë euro. Këto institucione kanë normë të lartë të interesit, e cila ka arritur në 22.7 për qind. Se ka rritje të këtij sektori e tregojnë edhe të dhënat e Asociacionit të institucioneve mikrofinanciare të Kosovës, i cili ka tetë anëtarë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme