Eurozonë, rriten huat e familjeve dhe bizneset

Prishtinë | 30 Pri 2018 | 16:03 | Nga

Huaja drejt ekonomive familjare dhe korporatave në Eurozonë janë rritur në muajin mars, ndërsa treguesi mbi paranë në qarkullim është ngadalësuar ndjeshëm, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Europiane (BQE).

Huadhënia drejt kompanive jo-financiare u rrit me 3.3 për qind në muajin mars, krahasuar me një rritje prej 3.2 për qind në shkurt, ndërsa kredia te ekonomitë familjare u rrit me 3 për qind nga 2.9 për qind, sipas institucionit në Frankfurt.

Duke blerë 2.5 trilionë euro tituj borxhi në 3 vitet e fundit, Banka Qendrore Europiane ka arritur të ulë bindshëm kostot e huamarrjes, në përpjekje për të nxitur inflacionin në zonën e valutës së përbashkët.

Ndërkohë që programi ka rezultuar kryesisht efektiv, rritja ekonomike është ngadalësuar në muajt e fundit, duke ngritur dyshime mbi planet e bankës për të hequr stimujt monetarë, pasi ekonomia mund të ketë ende nevojë për mbështetje. Huadhënia qëndron poshtë nivelit që ka qenë përpara krizës financiare, gjë që tregon se sektori bankar ka ende nevojë për përmirësime.

Duke mbajtur një barrë të madhe të borxhit të keq, shumë banka kanë nguruar për të rritur huan drejt ekonomisë reale, ndërkohë që përpiqen të ndreqin bilancet e tyre.

Rritja vjetore e treguesit të gjerë të ofertës së parasë, M3, që shihet si pararendës i aktivitetit ekonomik, u ngadalësua në 3.7 për qind në Mars, nga 4.2 për qind që ishte në muajin e kaluar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme