FMN e përkushtuar për t’i mbështetur reformat e Ministrisë së Financave

Prishtinë | 11 Tet 2018 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave Bedri Hamza, i shoqëruar edhe nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në kuadër të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahen në Bali të Indonezisë, sot ka zhvilluar takim bilateral me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, me të cilin diskutoi për të arriturat e deritanishme në fushën e financave, si dhe për sfidat që i ka Kosova në rrugën e saj përpara në këtë fushë, transmeton Ekonomia Online.

Sipas një komunikate për medie nga ministria e Financave, ministri Hamza e njoftoi zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN Zhang, për zhvillimet pozitive në Kosovë, me hapat që janë ndërmarrë për të ruajtur stabilitetin makro fiskal, performancën e mirë të të hyrave të përgjithshme për Buxhetin e shtetit, për menaxhimin e mirë të borxhit publik në raport me BPV-në, si dhe gjendjen e mirë të deficitit dhe bilancit bankar.

“Ministri Bedri Hamza gjithashtu e informoi Zhang  edhe me reformat të cilat janë ndërmarr gjatë këtij mandati në Ministrinë e Financave me theks të veçantë në politika fiskale, duke filluar nga lirimet e ndryshme tatimore deri tek hartimi i plotë i legjislacionit tatimor për ta nxitur sektorin privat për të qenë bartës i zhvillimit ekonomik në Kosovë e që është edhe objektiv strategjik i Ministrisë së Financave”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim gjithashtu u diskutua edhe për përgatitjen e buxhetit 2019 të Republikës së Kosovës, ku me këtë rast Ministri Hamza e siguroi Zhangun se “ky Buxhet  do të jetë një buxhet i qëndrueshëm, një buxhet i cili adreson kërkesat dhe nevojat e shtetit dhe qytetarëve të saj dhe çka është më e rëndësishme do të jetë buxhet i zhvillimit ekonomik”.

“Ndërsa, zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së Tao Zhang falënderoi ministrin Hamza për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe e përgëzoi për zhvillimet pozitive në Kosovë, me theks të veçantë për stabilitetin makrofiskal dhe  stabilizimin e borxhit publik në raport me BPV-në, që sipas tij është sinjal shumë i rëndësishëm jo vetëm për  Kosovën por edhe për të gjitha palët tjera të interesit”, thuhet tutje aty.

Zëvendësdrejtori i FMN-së Zhang, duke vlerësuar lartë punën e shkëlqyeshme në implementimin e reformave fiskale të cilat, sipas ministrisë, po japin rezultate pozitive në sektorin privat, ai së bashku me stafin e tij i ofroj Ministrit Bedri Hamza të gjitha mundësitë e asistencës teknike për implementimin sa më të mirë të këtyre reformave.

Me këtë rast, Ministri Hamza dhe Zhang u pajtuan se pa një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të vendit edhe buxheti i shtetit nuk mund të jetë i plotë.

Ministri Bedri Hamza gjatë ditës së sotme do të zhvillojë takime edhe me zyrtarët tjerë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke përfshirë drejtorin e Departamentit për Evropë Paul Thomsen dhe drejtoreshën Ekzekutive në Konstituencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar Michaela Erbenova.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme