FMN lavdëron Kosovën për zbatimin e rregullave fiskale, ngec transparenca

Prishtinë | 07 Nën 2016 | 16:03 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Financave (MF), Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) organizuan konferencën mbi Raportin vjeshtor të FMN-së 2016 për çështjet rajonale ekonomike për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore.

Ky raport mbulon çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimet kryesore ekonomike për vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore, si dhe pritjet për zhvillimet e ardhshme ekonomike. Si i tillë, ky raport publikohet dy herë në vit (në pranverë dhe në vjeshtë), me qëllim të rishikimit të zhvillimeve ekonomike në këto vende dhe gjithashtu në masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike dhe administrimin e tatimeve.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha që ky raport është orientim për të ardhmen e politikave makrofiskale.

“Sipas këtij raporti rritja ekonomike është solide. Norma e rritjes reale për vitin 2016 sipas raportit të FMN-së është 2.6 për qind”, tha Hoti.

“Më lejoni të them se Raporti vjeshtor të FMN-së 2016 për çështjet rajonale ekonomike për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL), është mjaft informativ dhe përmban të dhëna të shumta për zhvillimet ekonomike, fiskale e financiare në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore. Për më tepër, ky raport mjaft në detaje shtjellon orientimet për të ardhmen, duke u bazuar në projeksionet më të fundit të FMN-së”, tha Ministri Hoti.

“Raporti me të drejtë tregon për suksesin e Kosovës në drejtim të përmirësimit të kualitetit të portfolios kreditore. Kjo tregon për angazhimin e BQK-së dhe gjithë aktorëve për një ambient më të mirë ekonomik, që ka ndikuar edhe në kualitetin e portfolios kreditore. Kosova rangohet mjaft mirë për sa i përket kualitetit të administrimit me tatime. Ne siç e dini, kemi bërë reforma mjaft substanciale në drejtim të thjeshtësimit të procedurave dhe eliminimin e burokracisë, dhe kjo është kapur mirë nga ky raport”.

“Ofrimi i shërbimeve tatimore online, tregohet si një nga sukseset e Kosovës. Kosova në mesin e këtyre vendeve, duket të jetë lider në këtë drejtim, dhe ne do të vazhdojmë me një ritëm edhe më të shpejtë të automatizimit dhe kompjuterizimit të shërbimeve” shtoi Ministri Hoti.

Emil Stavrev, shef i Departamentit Evropian në FMN, tha se Kosova ka investime të mira vendore.

“Në rastin e Kosovës, kemi investime të forta, kërkesa vendore është mjaftë e lartë. Kemi përmirësime të investimeve, por edhe në investime gjithashtu. Kosova ka një ndër popullsinë më të re të Evropës, prandaj edhe nuk kemi mjaftë të dhëna reale, prandaj edhe nuk është përfshirë në këtë raport”, tha Staverv.

Kurse, Ara Stepanyan, i cili është ekonomist i Departamentit evropian në FMN, ka thënë se Kosova figuron më mirë në agjendën e FMN-së se disa vende të tjera të Bashkimit Evropian.

“Kosova në disa fusha figuron mjaftë mirë. Për shembull në rregullat fiskale performon mjaftë mirë. Por ka edhe fusha në të cilat ngec dhe duhet kohë për të përmirësuar, siç është përzgjedhja e projekteve dhe transparenca fiskale”, tha Stepanyan.

Ai theksoi se kontrolli i korrupsionit dhe politikbërja e pastër mund të ndikojë në rritjen ekonomike në rajon, pasi rritja nuk mund të jetë më e madhe se sa 2.4 për qind në rajon në përgjithësi.

Në ceremoninë e përurimit murrën pjesë edhe zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, si dhe zyrtarë të tjerë.

 

Të ngjashme