FSPE: Për shkak të ZRrE-së, punëtorët e KEDS-it rrezikojnë të largohen nga puna

Prishtinë | 10 Sht 2018 | 11:44 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Federata e Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova” ka mbajtur konferencë për media lidhur me grevën e punëtorëve të KEDS-it që pritet të mbahet nesër, prej orës 8.00 deri në orën 16:00, me qëllim të zbatimit të kërkesave të tyre – rritja e pagave dhe zbatimi i kontratës kolektive.

Hysni Gashi, kryetar i FSPE-së, ka thënë se situata e punëtorëve të KEDS-it është mjaft e rëndë, raporton Ekonomia Online.

“Situata në KEDS është mjaft e rëndë. Për fat të keq që nga privatizimi është duke u bërë një nëpërkëmbje e punëtorëve të KEDS-it”.

Ai ka thënë se për shkak të bordit të ZRrE-së, punëtorët rrezikojnë të largohen nga puna.

“Për shkak se bordi i ZRrE-së ka munguar, kjo çështje është shtyrë deri më tani. Është një plan ku thuhet se do të bëhet 1.5% shkurtim dhe nëse ZRrE-ja e aprovon këtë plan, atëherë do të përballemi me largime nga puna, për shkak të kësaj ulje të pagës”.

“Le të mos mbetet 1.5 por le të jetë 0”.

Gashi ka thënë se shkresa për këtë çështje janë dërguar si në menaxhment, ashtu edhe në ambasada të huaja, raporton EO.

“Kemi dërgu shkresa e madje i kemi shkruajtur shkresa edhe ambasadorëve turq, të cilët nuk kanë kthyer përgjigje asnjëherë, prandaj e kemi formu atë këshill grevist që nuk do ta shpërbëjmë”.

“Kemi ardhë në fund dhe më mirë të futemi në grevë sesa të largohen punëtorët nga puna”.

“Kemi vendosur që qysh nesër të hyjmë në grevë të përgjithshme. Punëtorët nuk do të kryejnë asnjë punë. Të gjitha distriktet do vijnë dhe do nisemi nga KEDS-i”.

Ahmet Hyseni, kryetar i Sindikatës së distriktit të Prishtinës, ka treguar për vendin ku do të mblidhen distriktet.

“Takimi do të bëhet te 21-shi, si distrikt i Prishtinës. Pastaj do fillojmë bashkë të vijmë te KEDS-i”.

Fehmi Pajaziti, kryetar i Këshillit Grevist, ka treguar edhe një herë qëllimin e grevave të vazhdueshme të punëtorëve të KEDS-it dhe ka njoftuar se nuk do të punojnë.

“Pa vullnetin dhe dëshirën tonë kemi ardhë në një moment, në kuadra ligjore, deri te grevat dhe protestat. Kështu që nesër që nga 8:30 deri në 4:30 do mbahet grevë, njëditëshe, për zbatimin e kërkesave tona. Këto kërkesa nuk gjetën implementim, prandaj kemi ardhë në një moment për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore për të plotësuar kërkesat tona”.

“Të 7 distriktet e mëhershme që kanë mbajtur grevë, nesër nuk do të punojnë asgjë”.

“Është shenjë paralajmëruese se nëse nuk ka zbatim të kërkesave, do të shkojmë në grevë të përgjithshme, që do të thotë se do të ketë përmbysje të energjisë”.

“Bëjë apel tek institucionet, që në kuadër të të hyrave të lejuara për operativë, të kenë parasysh kërkesat e punëtorëve”.

Pajaziti ka thënë se nga ZRrE-ja pret që të vendosë mbi buxhetin dhe që institucionet të reflektojnë, raporton EO.

“Pritet që ZrRE-ja të aprovojë buxhetin tek institucionet, pasi prej vitit 2008 nuk ka pasur rritje të pagave. Është koha të reflektojnë të gjitha institucionet pa e dëmtu tarifën e konsumatorit apo rritje të çmimit të rrymës”.

“Në qoftë se ka një reflektim apo bashkëpunim të dialogut të institucioneve, atëherë ne do të ulemi, sepse kjo është më e mirë sesa t’i lëmë qytetarët në terr”.

Leonorë Lokaj, nënkryetare e BSPK-së, ka shprehur përkrahje për grevën e ardhshme të FSPE-së dhe për cilindo veprim të ardhshëm sindikal që do të ndërmarrë kjo federatë përkrah Ligjit për Organizimin sindikal, me qëllim mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të punëtorëve të KEDS-it.

Ndërsa, Ahmet Hyseni ka thënë se kanë pasur takime edhe me menaxhmentin e KEDS-it, por nuk ka arritur rezultate.

“Kemi pasur takim me menaxhment shumë herë, por nuk janë vendimmarrëse. Menaxhmenti nuk është në gjendje të japë asnjë cent”.

Të ngjashme