Gërxhaliu kërkon vendosjen e banderolave në produkte vendore

Prishtinë | 26 Jan 2018 | 17:50 | Nga

Para disa ditësh Kosova ka marrë zyrtarisht në Bruksel kryesimin e CEFTA-s, marrëveshje kjo më e rëndësishmja jo vetëm në vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe më gjerë, duke iu referuar kështu tregtisë së lirë në mes këtyre vendeve.

Sot në “Express” intervistën në KTV, i ftuar ka qenë kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, i cili ka folur edhe për probleme që bizneset kosovare kanë me produktet vendore.

Ka thënë se është e nevojshme që brenda këtij viti, Kosova t’i ketë të gjitha të mirat që i nevojiten për CEFTA dhe të kalohen barrierat për prodhuesit kosovarë.

Gërxhaliu ka thënë se marrëveshja e Kosovës që ka me UNMIK-un, e ka zyrtarizuar Kosovën si shtet dhe është me rëndësi se për Kosovën ka qenë i mirëseardhur.

“Ne në CEFTA megjithatë nuk jemi të barabartë. Kemi probleme të mëdha me Bosnjën dhe Hercegovinën. Në Kosovë kemi paguar kosto të mëdha dhe jemi bërë të varur nga importi e jo eksporti”, tha ai.

Ka kujtuar problemet që bizneset kosovare hasin në mungesë të kartonit të gjelbër.

“Për t’i zgjidhur problemet në fakt ato janë shumë të mëdha. Dua të besoj që do të zgjidhen këto probleme brenda këtij viti e në fakt më shumë të punohet rreth ekonomisë kosovare se sa të flitet”, tha ai e shtoi se në Kosovë më shumë prodhohet agjenda politike se ajo ekonomike.

Ka thënë se Kosova problemin më të madh me Bosnjë e Hercegovinën, pasi mallrat e tyre janë aktive në Kosovë, ndërsa ato të kosovarëve atje, thuajse fare.

Gërxhaliu ka shtuar pohuar se gjatë dhjetorit të vitit të kaluar ka pasur rënie të eksportit, ndërsa rritje të importit.

“Kosova si shtet i varfër është e pamundur të krijojë vende të reja të punës. Jemi në krizë sociale, por neve na mungon megjithatë bilanci i pagesave”, shtoi ai.

Ka thënë se si Odë Ekonomike, disa herë kanë kërkuar që të mbrohen më shumë produktet vendore.

“Mesazhi im është që sa më shpejtë të fillojë vënia e banderolave tek prodhimet vendore”, përfundoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme