Hoti e Apostolova diskutojnë për MSA-në

Prishtinë | 20 Sht 2016 | 16:24 | Nga

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka pritur sot në takim njohës shefen e re të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova.

Ministri Hoti e njoftoi Apostolovan për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend, me theks të veçantë për bashkëpunimin e Ministrisë së Financave me institucionet e Bashkimit Evropian (BE) për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA).

“Ne si Ministri e Financave kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe gjithëpërfshirës me Zyrën e BE-së në Kosovë ku vlen të përmendet puna e përbashkët për Fondin e Mirëbesimit, si dhe bashkëpunimi në implementimin e direktivave të cilat dalin nga MSA-ja në fushën e Doganave dhe Tatimeve” u shpreh ministri Hoti.

Ndërsa, Shefja e re e Zyrës së BE-së në Kosovë/PPBE Nataliya Apostolova, u tregua e hapur për vazhdimin e bashkëpunimit me institucionet publike në Kosovë për proceset integruese në BE.

Ajo e përgëzoi ministrin Hoti për rolin e tij si koordinator kombëtar për Programin e Reformës Ekonomike, një instrument i BE-së dhe Kosovës për dialog rreth qeverisjes ekonomike.

Shefja e Zyrës së BE-së/PPBE shprehu mirënjohjen edhe për përkrahjen e Agjendës së ardhshme të Reformës Evropiane, që është një mjet për zbatim të MSA-së dhe sjelljen e saj më afër qytetarëve të Kosovës.

“Si kontrata e parë gjithëpërfshirëse mes BE-së dhe Kosovës, e cila konfirmon perspektivën e qartë evropiane të Kosovës, MSA-ja është e rëndësishme si për nga aspekti politik ashtu edhe ai ekonomik dhe zbatimi i saj ka rol kyç”, shtoi Apostolova.

Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e qëndrueshmërisë financiare dhe Marrëveshjes Stand-By me FMN-në si parakusht për Komisioni Evropian që të jetë në gjendje të procedoi me përkrahjen buxhetore në shumë të 25 milionë eurove gjatë tri viteve të ardhshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme