Hoti: Pagat nuk do të ulen, por do të rriten

Prishtinë | 19 Jan 2017 | 11:25 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka siguruar punonjësit e sektorit publik, e sidomos Policinë, mësimdhënësit, mjekët, zjarrfikësit dhe të tjerët se Ligji për Pagat nuk parasheh uljen e pagave.

Këto komente ai ka thënë në konferencën për media për të sqaruar shqetësimet e ngritura për Ligjin për Pagat në sektorin publik, i cili është aprovuar në Qeveri në fund të dhjetorit 2016.

Ministri Hoti duke thënë se 80 mijë veta në sektorin publik marrinë paga nga buxheti i Kosovës, theksoi se po përgatiten që t’i rrisin pagat, raporton Ekonomia Online.

“Ligji për Pagat është më i rëndësishëm i reformën administrative publike që është duke bërë kryeministri dhe Qeveria. Ne kemi mbi 80 mijë veta që marrin paga rregullisht nga buxheti i shtetit. Ky ligj rregullon në detaje pagat shtesë dhe të gjitha përfitimet që kanë këta 80 mijë veta. Ligji i Pagave, në total, është e konsiderueshme gati ¼ e buxhetit total të Kosovës dhe ky ligj përcakton shpenzimet, pra mënyrën e shpenzimit të ¼ buxhetit”, ka thënë Hoti.

“Nëse përcaktojmë buxhetin për pagat e vitit 2017 nga ai i vitit 2014 të qeverisë paraprake është rritur për 33 milionë euro që i bie 17% e buxhetit të përgjithshëm. Prandaj nuk ka asnjë kuptim asnjë logjikë, çfarëdo supozimi që pagat mund të zvogëlohen në Kosovë”, ka thënë ai.

“Ne po zbatojmë përmes këtij buxheti në detaje Kontratën Kolektive, e cila na kushton rreth 35 milionë euro vetëm për përvojën e punës. Këta 80 mijë veta janë të shpërndarë nëpër kategori të ndryshme; i kemi rreth 26 mijë veta në arsim; 11mijë veta në shëndetësi; 18 mijë shërbyes civilë; rreth 2 700 të forcave të armatosura; 7 600 forca policore, janë të gjithë të punësuarit në organet e drejtësisë në arsimin e lartë, në kulturë; janë doganierët dhe inspektorët tatimorë, është diplomacia, shërbimi korrektues, zjarrfikësit dhe të gjithë ata që marrin paga të rregullta nga buxheti i shtetit. Askujt prej këtyre nuk do t’i ulet paga”, ka theksuar Hoti.

“Atë që e bënë ky ligj është harmonizimi i pagave, në veçanti në arsim, polici, shëndetësi, gjykata. Nuk do të ulen pagat, ne po planifikojmë që t’i rrisim pagat. Buxheti secilin vit po shkon duke u rritur dhe me të do të rriten edhe pagat”, ka thënë Hoti.

Duke thënë se pagat nuk do t’i ulen askujt Hoti bëri të ditur se pagat do të jenë në harmonizimin me punën të cilën e ka gjithsecili.

“Për momentin ka ndryshimin të pagave nëpër institucione, për të njëjtën pozitë dhe kjo nuk duhet të ndodh dhe pikërisht ky ligj e rregullon një gjë të tillë. Ky ligj nuk e përcakton pagën po përcakton hierarkinë e të gjitha pagave që merren nga buxheti i shtetit. Atë që bënë ky ligj është se respekton ndarjen e plotë të pushteteve”, ka shtuar Hoti.

“Cilido zyrtar ligjor ose financiar, ne dimë që ky zyrtar duhet të ketë pagë të njëjtë pavarësisht në cilin institucion punon. Për momentin, ne e dimë që një zyrtar i tillë merr një pagë prej 520 euro në Ministrinë e Financave dhe merr 800 euro në institucionin tjetër publik dhe shkon deri në 1 200 euro në agjenci dhe rregullator që janë të pavarur. I njëjti zyrtar, qoftë ai ligjor, financiar ose zyrtar tjetër, nuk mund të tolerojmë një situatë të tillë, dhe ky ligj e rregullon në detaje këtë çështje”, ka thënë hoti.

sipas tij, parimi bazë i vendosur edhe nga Komisioni i Evropian është që duhet të ketë pagë të njëjtë për punë të njëjtë, duhet t’i harmonizojnë pagat në veçanti në mes të institucioneve të pavarura.

” Janë 32 institucione, ose agjenci të pavarura, të lidhura me Kuvendin e Kosovës; janë 46 organe qendrore dhe trupa të ndryshëm, qofshin agjenci, borde ose rregullatorë të ndryshëm të qeverisë dhe të ministrive përkatëse që kanë disbalanc të madh në pagat e zyrtarëve të tyre; siç e përmenda një shembull konkret pak më lartë. Këtë tenton të rregulloj ky ligj”, ka thënë Hoti.

Ditë më parë kanë reaguar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe Sindikata e Policisë. Madje, drejtuesit e SBAShK-ut kanë shprehur pakënaqësitë për Ligjin për Pagat, duke theksuar se ky ligj degradon mësimdhënësit.

Ata kanë kërkuar që ky ligj mos të miratohet në Kuvendin e Kosovës, në të kundërtën do të marrin masa sindikale duke u futur në greva të përgjithshme.

Ministri Hoti ka thënë se Qeveria nuk ka në plan ulje të pagave, madje ka shtuar se mendojnë që të bëjnë rritjen e tyre, pasi për vitin 2017 edhe buxheti është më i madh.

avdullah hoti2 avdullah hoti3

 

Të ngjashme