Importi i qumështit nga Bosnja dëmton prodhuesit vendas, kërkohet implementimi i masave mbrojtëse

Prishtinë | 20 Qer 2018 | 10:50 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka mbajtur konferencë lidhur me masat mbrojtëse ndaj produkteve të qumështit nga Bosnja  dhe Hercegovina.

Vllaznim Osmani, sekretar gjeneral i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, tha se sektori i qumështit ka hasur shumë sfida gjatë zhvillimit të tij që nga paslufta.

“Çështja e masave mbrojtëse dhe moszbatimi i tyre ndaj produkteve të qumështit nga Bosnja është duke shkaktuar dëme. Ne po flasim me një shtet si Bosnja që ende nuk na ka njohur dhe produktet e tona hasin në shume barriera atje. E njëjta ndodh edhe në vendet tjera të rajonit ku Kosovën e shohin si vend që shesin produktet por nuk e praktikojnë tregun e lirë. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje që i shkon në vijë të drejtë zhvillimit të sektorit të qumështit. Për momentin gjendja nuk është e mirë dhe ne jo vetëm që kemi me pasë problem m’i shtu vendet e reja të punës, por kemi me pasë vështirë me i rujtë këto që i kemi”.

Besim Kuqi, kryetar i Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit, tha se trajtimi i fermerëve nga shteti ka qenë nënçmues, raporton Ekonomia Online.

“Ne nuk jemi kapitalistë, nuk jemi biznismenë. Jemi fermerë dhe kemi vetëm një produkt e ai është qumështi. Ne nuk kemi produkte tjera që mund t’i mbulojmë humbjet që na shkaktohen në qumësht. Mbrojtja e produktit dhe fermerëve vendas nuk është zbulim i yni por qasje që aplikohet në tërë vendin. Blegtoria nuk është sektor me të cilin mund të bëhet shaka”.

Alush Kryeziu, përfaqësues i MTI-së, tha se importi i qumështit nga Bosnja ndikon në zvogëlimin e prodhimit vendor.

“Departamenti i tregtisë ka formuar një grup punues për hulumtim. Pas hulumtimit kemi ardhë në përfundim se importimi i qumështit nga Bosnja Hercegovina ka shënuar rritje viteve të fundit, prandaj konform kësaj kemi ardhë në përfundim që është rritje që ngulfatë prodhimin vendor. Për vitin 2017 kemi vërejtur që ka ulje të prodhimit vendor. Në baza të analizave që kemi bërë, kemi ardhë në përfundim se importi i qumështit nga Bosnja është shumë i ulët dhe ndikon në dëmtimin e prodhuesve vendorë”.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, tha se Ministria e Financave e ka prioritet zhvillimin e sektorit privat.

“Ka pasur një mosqartësim ligjor dhe vendimi i ministrit të Tregtisë duhet të shkojë përmes qeverisë. Sa i përket ligjit për masat mbrojtëse, për me implementu dogana atë masë mbrojtëse duhet të shkojë në qeveri, sepse përveç qeverisë nuk mund askush të marrë vendime dhe t’ia dërgoj doganës”, tha ai.

Eksperti Muhamet Mustafa tha se sektori i qumështit është sektor strategjik në Kosovë.

“Situata nuk është përmirësuar në këtë sektor për arsye se kemi zvogëlim të numrit të lopëve qumështore dhe kemi një zvogëlim të prodhimit të qumështit vendor, kemi 81 mijë litra më pak që prodhohen qumësht. Kjo tregon se duhet ta ndërrojmë qasjen tonë”.

Të ngjashme