INPO: Komuna e Prishtinës shkel Ligjin për Financat Publike

Prishtinë | 18 Gus 2017 | 15:02 | Nga

Organizata joqeveritare INPO ka reaguar ndaj moszbatimit të obligimeve ligjore për hartimin e buxhetit të komunës së Prishtinës për vitin 2018 nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Kryetari i Komunës ka vetëm edhe 10 ditë afat ligjor që t’i dorëzojë Kuvendit Komunal buxhetin e propozuar për vitin 2018 dhe vlerësimet për dy (2) vitet e ardhshme fiskale, ndërkaq deri më sot qytetarëve nuk u është prezantuar asnjë informatë rreth përmbajtjes së draft buxhetit për vitin e ardhshëm. Për më tepër nuk janë mbajtur dëgjimet buxhetore me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në procesin e hartimit të buxhetit të komunës”, shkruan INPO në reagim.

INPO thotë se Komuna e Prishtinës ka dështuar të respektojë obligimet ligjore që dalin nga Ligji Nr.03/L-048 për Financat Publike dhe Përgjegjësitë i Republikës së Kosovës dhe rregulloreve komunale rreth ciklit të përgatitjes të politikave fiskale për vitin e ardhshëm.

“Mosangazhimi i Kryetarit të Komunës në këtë proces është reflektuar qysh në muajin qershor, ngase komuna nuk ka miratuar as Kornizën Afatmesme Buxhetore. Kryetari ka dështuar që këtë dokument strategjik ta dorëzojë në Kuvend”.

Sipas INPO, komuna nuk ka publikuar asnjë draft dokument buxhetor, madje nuk ka organizuar asnjë dëgjim publik me qytetarë ashtu sikur e obligon ligji dhe rregulloret e brendshme të komunës.
“Sipas ligjit respektiv, statutit të komunës, rregullores për transparencë dhe planit të veprimit për transparencë të komunës, Kryetari obligohet që të konsultojë publikun gjatë gjithë muajit gusht, në mënyrë që të merren parasysh kërkesat dhe propozimet e qytetarëve dhe grupeve të interesit në prioritizimin e politikave investuese për vitin e ardhshëm”, shkruan në reagim.

INPO shpreh shqetësim për moszbatimin e obligimeve ligjore, cenimin e parimit të transparencës dhe mospërfshirjen e qytetarëve në procesin e hartimit të këtij dokumenti dhe vlerëson se këto shkelje ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e planifikimit të mirëfilltë buxhetor, i cili do të garantonte efikasitet dhe efektivitet të shpenzimit të parasë publike.

“Ia rikujtojmë Kryetarit se sipas Indeksit të kënaqshmërisë së qytetarëve më shërbimet komunale në Prishtinë të publikuar nga INPO, 92% e qytetarëve janë deklaruar se nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në dëgjimet publike që organizon komuna për hartimin e buxhetit. Ky rezultat do të duhej të ishte alarm për komunën e Prishtinës që me të gjitha kapacitet e saj të angazhohej në krijimin e urave të komunikimit me qytetarë dhe përfshirjes së tyre në proceset vendimmarrëse”, thuhet në reagimin e INPO-s.

INPO kërkon nga komuna që sa më parë të bëjë publik dhe të qasshëm draft buxhetin e komunës për vitin 2018, si dhe të organizoj dëgjimet buxhetore me qytetarë. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Kuvendit Komunal që të jetë më azhur në mbikëqyrjen e punës së Kryetarit të Komunës dhe të ushtrojë me përpikëri detyrat dhe kompetencat e veta ligjore në zbatimin e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies.

Të ngjashme