Interesimi i Iowa-s për bashkëpunime me Kosovën po vazhdon të rritet

Prishtinë | 10 Maj 2018 | 15:51 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Ekonomike Amerikane ka organizuar konferencë për medie lidhur me bashkëpunimin Kosovë-Iowa nga viti 2014 deri më tani.

Drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka tha se është 5-vjetori i zyrtarizimit të marrëdhënieve me Iowa-n, edhe pse bashkëpunimi mes dy vendeve ka filluar shumë më herët, raporton Ekonomia Online.

“Është një partneritet jo si çdo partneritet që Kosova ka, është i rëndësishëm për shkak të bashkëpunimit që ne e kemi kultivuar gjithë këto vite. Është partneritet që do të sjellë edhe rezultate në vitet e ardhshme”.

“Përmes kësaj konference ne kemi dashur t’i ndajmë aspektet e këtij bashkëpunimi edhe me qytetarët. Ai që është më meritori për këtë bashkëpunim është gjenerali. Secili shtetas i Iowa-s është konsull nderi në Kosovë. Është e pabesueshme se si dy popuj që i ndajnë mijëra kilometra të kenë tipare të ngjashme në mes vete”, tha ai.

Komandanti i Gardës Nacionale të Iowa-s, Timothy Orr tha se bashkëpunimi me Kosovën është ndër bashkëpunimet më të mira të shtetit të Iowa-s, raporton EO.

“Tanimë kemi 77 partneritete dhe ky partneritet është një nga më të rinjtë dhe më të mira dhe është model dhe jemi krenarë për këtë. Na ka marrë kohë deri në ndërtimin e marrëdhënieve dhe nuk është vetëm partneritet ushtarak. Ajo çka e ka bërë të suksesshme është serioziteti i këtij partneriteti”.

Konsulli i Kosovës në Iowa, Xhavit Gashi tha se shteti i Iowa-s ka shprehur interesim dhe po vazhdon të shprehë për shumë produkte të Kosovës, raporton EO.

“Është një fillim i mirë me plasimin apo shitjen e verës Stone Castle në Iowa dhe jemi në përpjekje që ta fusim në treg edhe Princ Caffe-në. Ka interesim që të ketë restorante nga Kosova. Jemi duke punuar që këto vizita të identifikojnë fusha të reja të bashkëpunimit. Vizita e kompanive të ndryshme do të sjellin bashkëpunime të reja. Birra Peja është shumë e kërkuar në Iowa, besoj që do të ketë shumë fusha që do të identifikojmë. Fusha e edukimit është një fushë tjeter. Pa edukim profesional nuk besoj që do të ketë as zhvillim ekonomik”, tha ai .

Kim Heidemann, kryetare ekzekutive e shteteve si motra, tha se marrëdhënia e Iowa-s me Kosovën vetëm sa po zgjerohet, raporton EO.

“Kjo marrëdhënie është duke u zgjeruar . Ne si OJQ që menaxhojmë programin e partneritetit me 8 vende Kosova është motra jonë më e re. Marrëdhënia me Kosovën është marrëdhënia më aktive, sepse kemi një delegacion shumë të madh. Me rritjen e numrit të vizitorëve nga viti i kaluar ka një interesim më të madh që po zgjerohet më shumë”.

“Kemi fusha që po zgjerohen, kemi aktivitete sportive ku ekipi i mundjes së Kosovës do të shkojë në Iowa këtë verë, pastaj një ekip futbolli do të shkojë. Kemi bashkëpunim në fushën e arsimit. Kemi biznesin që përmendëm, bashkë me Stone Castle kemi shumë interesim në ndërtimtari dhe po punojmë edhe në bujqësi, dhe kjo ishte një lidhje e hershme që bëmë mes Kosovës dhe Iowa-s”.

“Do të fillojmë së shpejti një program të bujqësisë. Kemi artin dhe kemi binjakëzimin e qyteteve. Ne po përpiqemi t’i ndihmojmë qytetarët të angazhohen dhe mënyra më e mirë ka qenë binjakëzimi i qyteteve”, tha ajo.

Të ngjashme