Dhuna psikologjike në punë

work angry boss
Prishtinë | 10 Jan 2017 | 20:23 | Nga Ekonomia Online

Është një lloj forme abuzimi, ndërsa dhunuesit dhe punëdhënësit e pashkolluar shpesh përpiqen shumë për t’i mbajtur viktimat e tyre në heshtje duke përdorur si kërcënim masat disiplinore, heqjen nga puna, gjoba, ulje rroge, etj. Dhunuesit i frikësohen shumë daljes në shesh të paaftësisë apo dhënies së llogarisë për veprimet e tyre.

Kjo ka kuptim nëse mban parasysh faktin se dhuna bëhet pikërisht për të fshehur paaftësinë. Njerëzit që dhunojnë janë me të vërtetë të paaftë.

Qëllimi kryesor i dhunës është për të fshehur paaftësinë. Dhuna nuk ka aspak lidhje me menaxhimin, ose gjëra të tilla të ngjashme. Menaxherët e mirë menaxhojnë, ndërsa menaxherët e këqij dhunojnë. Menaxhimi është menaxhim. Dhuna psikologjike nuk është menaxhim. Prandaj, të gjithë ata njerëz që dhunojnë, në të vërtetë po fshehin paaftësinë e tyre. Niveli i dhunës psikologjike tregon edhe nivelin e paaftësisë. Fajin e paaftësisë së tyre dhunuesit ua hedhin të tjerëve për këto arsye:

– Për t’iu shmangur ballafaqimit me paaftësinë e tyre.
– Për të shmangur marrjen e përgjegjësisë si pasojë e veprimeve të tyre dhe ndikimit që këto veprime kanë tek të tjerët.
– Për të ulur frikën se mund t’u dalë në shesh fytyra e vërtetë. Ata janë individë të dobët dhe të paaftë.
– Për të hequr vëmendjen nga paaftësia e tyre.
– Kjo është mënyra se si punonjësit e paaftë dhe agresivë e mbajnë vendin e punës në një ambient të menaxhuar keq dhe të pasigurt.

Dhuna është një mënyrë e dështuar pune. Rezultatet e saj janë: demoralizimi, mungesa e një shtyse për të punuar, pakënaqësi dhe ftohje. Dhunuesit drejtojnë organizata ose biznese që funksionojnë keq dhe janë jo të efektshme. Shndërrimet e shpeshta të stafit janë të larta, ndërkohë që morali është i ulët, produktiviteti dhe përfitimet janë të ulta. Prosperiteti është thjesht iluzion dhe këto lloj organizatash dhe biznesesh janë një investim i keq afatgjatë. Hedhja e fajit dikujt tjetër dhe mohimi janë shenjat dalluese të dhunuesit.

Pas çdo ngacmimi, diskriminimi, paragjykimi, abuzimi, persekutimi, konflikti dhe dhune fshihet dhuna psikologjike.

Dhunuesi psikologjik është një person që:

– Nuk ka mësuar asnjëherë që të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta;
– Do të përfitojë nga jeta e të rriturve por që në fakt e ka të pamundur dhe nuk do që të marrë përgjegjësitë që vijnë si rezultat i jetës së të rriturve;
– Vazhdimisht mohon pasojat e veprimeve të veta (mohimi është tipar dallues i dhunuesit);
– E ka të pamundur dhe nuk ka dëshirë që të pranojë ndikimin që ka sjellja e tij tek të tjerët;
– Nuk ka dëshirë që të ndryshojë sjellje;
– Nuk ka dëshirë të pranojë faktin se ka mënyra të tjera më të mira sjelljeje;
– Dhunuesi është i fiksuar dhe i pandreqshëm. Dhunuesi periodik duhet patjetër të dhunojë dikë dhe duket se e ka të pamundur që të mbijetojë pa një shënjestër (një person);
– Pavarësisht përshtypjes që mund të lënë, në të vërtetë dhunuesit nuk kanë besim në vetvete, prandaj ata ndihen gjithmonë të pasigurt. Mungesa e vetëbesimit është faktori kryesor i cilësuar nga të gjitha studimet që i janë bërë dhunës psikologjike. Duke qenë se këta lloj njerëzish janë të paaftë për të kryer detyrat dhe detyrimet e punës që bëjnë (megjithëse shkojnë gjithë qejf për të marrë rrogën), ata kanë frikë se mos zbulohen. Frika e zbulimit shkon deri në paranojë;
– Dhunuesit vlojnë nga inati, urrejtja dhe hidhërimi. Zakonisht ata kanë një gamë të gjerë paragjykimesh, të cilat i hedhin tek të tjerët. Dhunuesit janë të pushtuar nga xhelozia dhe zilia. Ideja e refuzimit, e cila nuk u shqitet asnjëherë nga mendja shërben gjithashtu si shtysë e fortë;
– Dhunuesit janë njerëz, të cilët nuk kanë mësuar të përballen me pasojat. P.sh. nëse sillesh mirë, pasojat janë të mira (shpërblim), por po u solle keq, pasojat janë jo të mira (dënim). Që në fëmijëri, dhunuesit kanë mësuar se mund t’i shmangen pasojave të pakëndshme të sjelljes së keqe duke u mohuar gjithmonë gjithçka, duke fajësuar dikë tjetër, ose duke u hequr si viktimë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme