Si të mos e lejoni frikën të ju ndalojë

Prishtinë | 17 Kor 2017 | 19:49 | Nga Ekonomia Online

Ajo që bën ndryshimin varet nga reagimi dhe përgjigja juaj ndaj frikës.

Asgjë nuk i ndalon njerëzit nga arritja e potencialit të tyre të plotë dhe verzionit më të mirë të tyre se frika. Frika shkatërron ëndrrat, ndalon organizatat nga arritja e sukseseve të mëdha dhe është rrënja e asaj se pse shumë njerëz përfundojnë duke dështuar edhe pse kanë talent, shpresa dhe dëshira të pa shprehura.

Pavarësisht se a është frika ndaj të folurit në publik, frika e ndjekjes së një ëndrre të madhe, ose nëse frikësoheni se çfarë tjerët mund të mendojnë për ju, nuk është frika ajo e cila po ju ndalon. Është tregimi i sajuar që ju ia tregoni vetes vazhdimisht për frikën e cila po vjedh lumturinë tuaj, paqen dhe aftësinë për të treguar potencialin tuaj në botë.

Vetë frika, sigurisht, është normale. Kur vendosni të ndiqni dëshirat tuaja më të thella dhe të jetoni një jetë të guximshme, është e natyrshme të ndjeni frikë kohë pas kohe. Ajo që bën të gjithë ndryshimin është se a ju paralizon frika apo ju ngrit në lartësitë më të mëdha varet nga reagimi juaj ndaj frikës.

Ka pasur shumë kohë në jetën time kur frika më ka ndaluar. Përvoja të cilën e mbaj në mend më së shumti ishte kur u lëndova në lojën time të parë në NFL. Po luaja për ekipin tim the Chicago Bears dhe po jetoja ëndrrën time të cilën e kam dashur që kur isha fëmijë i vogël. Sa hap e mbyll sytë, unë humba ëndrrën time dhe mbeta me zemër të thyer.

Frika më sulmoi nga të gjitha anët. Filloi të dominonte çdo mendim, veprim dhe besim që kisha.

Unë zyrtarisht isha viktimë e rrethanave të mia. Frika ndaj të panjohurës, ndaj dështimit dhe ndaj asaj se çfarë të tjerët mendonin për mua më shkaktoi të hyja në depresion dhe të mbyllja veten në dhomë për disa javë. Fatmirësisht, unë isha në gjendje të tejkaloja atë periudhë të errët të jetës time ku frika drejtonte fatin tim.

Unë ende frikësohem gjatë gjithë kohës. Frika ende është prezente në jetën time në baza ditore. Dallimi i vetëm tani është se e di se nuk do të lejoj kurrë që frika të më ndalojë nga jetesa me guxim.

Këtu janë dy mënyra të cilat do ju ndihmojnë të mos lejoni që frika të ju ndalojë sërish.

  1. Ndjeni frikën dhe megjithatë bëjeni atë gjë.

Frika mund të fitojë vetëm nëse ju nuk ndërmerrni veprime dhe të vazhdoni përpara. Njëra prej gjërave më të lehta që mund të bëni për t’u siguruar se nuk do t’a lejoni frikën të ju ndalojë nga kjo pikë është të vazhdoni përpara, të ndjeni frikën dhe megjithatë t’i bëni ato detyra . Kur të filloni të ndjeni frikën, ndërmerrni veprim dhe filloni të lëvizni sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Ndryshe nga ajo se çfarë mendojnë shumë njerëz, ju nuk keni nevojë të kuptoni gjithçka dhe të dini çdo detaj të vogël para se të lëvizni. Është mirë të përgatiteni dhe të keni një plan, por sapo të bëni gjithçka me fuqinë tuaj për të vendosur veten në një pozitë për të fituar, hapi i ardhshëm është të fiksoheni me veprimin.

Pavarësisht se për çfarë lloji të frikës po flasim, kur e bëni shprehi të ‘’ndjeni frikën dhe t’a bëni atë’’, ju nuk ndërtoni vetëm vetëbesim por gjithashtu fitoni fuqi të pabesueshme pak nga pak. Gjëra të mrekullueshme fillonjë të ndodhin për ata të cilët ndjejnë frikën dhe ende ndërmarrin veprime masive.

  1. Ndryshoni filozofinë tuaj personale për dështimin.

Edhe pse iu kam referuar të gjitha llojeve të frikës në këtë pikë, frika e dështimit është ajo frikë e cila ndalon shumë njerëz të shkojnë pas atyre gjërave që i dëshirojnë. Kur filloni të shikoni dështimin si një bekim të maskuar dhe si një mundësi që të bëheni personi që duhet të bëheni, jeta juaj nuk do të jetë e njëjta më.

Siç kam thënë edhe në një videoklip të shkurtër në një fjalim të cilin e dhashë para një grupi të madh të udhëheqësve, dështimet janë një dhuratë e madhe.

Kohërat e vështira janë që të na ndihmojnë të bëhemi verzioni më i mirë i vetvetes. Kur bëni këtë ndryshim mendor dhe ndryshoni filozofinë tuaj personale për dështimin, frika ndaj dështimit nuk do ju ndalojë sërish.

Kur filloni të bëheni të qëllimshëm për veprimet tuaja dhe të bëni diçka çdo ditë e cila ju nxjerr nga zona juaj e rehatisë, frika nuk ka gjasa të fitojë. Jetoni me guxim!

Matt Mayberry

Si ish lojtar i NFL për Chicago Bears, Matt Mayberry për momentin është folës kryesor, strategjist i performancës dhe shkrimtar. Si kryeshef ekzekutiv i Matt Mayberry Enterprises, një kompani trajnuese dhe këshilluese, ai është i specializuar në rritjen e performancës të individëve dhe organizatave në të gjithë botën. Libri i parë i Mayberry, Winning Plays, publikohet më 6 Shtator, 2016. Mund të kontaktoni me të dhe të mësoni më shumë në mattmayberryonline.com

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme