Komuniteti i Energjisë mblidhet në Prishtinë, 4 shtete e bojkotojnë takimin

Prishtinë | 14 Dhj 2017 | 19:00 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë mbajti sot takimin e 15-të në Prishtinë, me ç’rast diskutoi për nevojën për një politikë më gjithëpërfshirëse dhe konsistente mbi prodhimin dhe konsumimin e qëndrueshëm të energjisë.

Takimi u kryesua nga ministri për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka, në emër të Kosovës, e cila e kishte presidencën e radhës. Takimi u bojkotua nga Serbia dhe Bosnja, por edhe dy shtete të tjera me arsyetimin se “nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Kosovën”.

Në një konferencë shtypi, në përfundim të takimit, Lluka dhe Janez Kopac nga Sekretariati i Komunitetit për Energji, treguan se Këshilli Ministror nënvizoi nevojën e arritjes së objektivave deri në vitin 2030 për energji të rinovueshme, efiçiencë të energjisë dhe reduktimin e emetimit të gazrave serrë dhe kërkoi nga Sekretariati që të diskutojë dhe të zhvillojë propozimet për Këshillin Ministror, që do të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2018 bazuar në projekt-metodologjinë paraqitur nga Sekretariati.

Ministri Lluka foli për sfidat aktuale me të cilat ballafaqohet Kosova, duke qenë e kufizuar në menaxhimin e rrjedhave të energjisë në tregun rajonal për shkak të mosfunksionalizimit të linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri.

“Kosova është zotuar që të përmbushë kërkesat për një treg të përbashkët energjetik rajonal, mirëpo problem për këtë mbetet Serbia, e cila edhe nuk mori pjesë sot në këtë takim”, deklaroi Lluka, raporton Ekonomia Online.

Ministri kosovar tha se Sekretariati është përgjegjës për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e kësaj bllokade. Po ashtu, Gjermania ka marrë përsipër të ndërmjetësojë. Ai tha se Kosova i ka kryer të gjitha obligimet, ndërkohë që Serbia nuk ka kthyer ende përgjigje.

Presidencën e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, nga sot, e merr Maqedonia.

Janez Kopac, nga Sekretariati i Komunitetit për Energji, ka thënë se ky ishte një takim i veçantë jo vetëm për Kosovën, por edhe për Maqedoninë.

Duke folur rreth mospjesëmarrjes së Serbisë në këtë takim, Kopac tha se kanë qenë në dijeni se pala serbe nuk do të marrë pjesë, për shkaqe të njohura. Ndërkohë që përfaqësuesi i Bosnjës, ka thënë se i ka skaduar pasaporta. “Nuk ka pasur asnjë porosi politike nga Bosnja me mospjesëmarrje”, u shpreh Kopac.

Por, në takim kanë munguar edhe Moldavia e Bjellorusia.

“Delegacionet e Moldavisë e Bjellorusisë kanë thënë që nuk do vijnë sepse nuk kanë marrëdhënë diplomatike me Kosovën. Këtë e kemi ditur në fillim të vitit. Në të kaluarën patëm situatë të ngjashme dhe zgjidhja ishte ta zhvendosim takimin në Bruksel që ta mbajmë në një territor ‘neutral’. Por kësaj here menduam që ta mbajmë në Prishtinë”.

“Kosova është anëtare e jona aktive dhe meriton respekt. E ditëm se do të rrezikonim sepse nuk do të kemi kourom, gjë që në fund ndodhi”.


Të ngjashme