Kosova dhe Turqia rritin bashkëpunimin në sektorin bankar

Prishtinë | 11 Tet 2018 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahet në Bali të Indonezisë, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit.

Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është thellimi i marrëdhënieve dhe forcimi i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit në fushën e biznesit bankar qendror, duke ndërmarrë iniciativa për rritjen e dialogut të biznesit në nivel ekspertësh dhe shkëmbimin e njohurive, dhe ekspertizës.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka shprehur kënaqësinë për rritjen e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë me anë të këtij memorandumi, që gjithashtu do të mundësonte shkëmbimin e informacioneve dhe pikëpamjeve mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në ekonomitë e të dyja vendeve, si dhe çështjet e bankingut qendror.

Me nënshkrimin e këtij Memorandum Mirëkuptimi, palët bien dakord për të forcuar shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës përmes vizitave nga zyrtarët në nivel pune.

Shkëmbimet mund të bëhen në formën e këshillave teknike, lëvizjeve të përkohshme të punonjësve, trajnimeve, seminareve, punëtorive, vizitave të ekspertëve, vizitave kërkimore ose aktiviteteve kërkimore në fusha të rëna dakord reciprokisht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme