Kosova do t’i shfrytëzojë kreditë e buta për zbutjen e papunësisë e varfërisë

Prishtinë | 07 Sht 2017 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi, ka pritur sot në takim njoftues drejtoreshën e re Rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder, e cila ka pranuar detyrën e saj në korrik të këtij viti.

Me këtë rast, Krasniqi e uroi Van Gelderin për pozitën e re dhe gjithashtu i shprehu asaj frymën e vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional që Kosova ka zhvilluar me Bankën Botërore ndër vite.

“Kemi arritur avancime të konsiderueshme në shtet-ndërtim deri më tani. Sigurisht që palë e rëndësishme në përmbushjen e prioriteteve zhvillimore qeveritare ka qenë dhe do mbetet bashkëpunimi me Bankën Botërore”, citohet të ketë thënë Krasniqi, në një komunikatë të MF-së.

“Kosova si shtet me qasje në fondet IDA (kredi me kushte të buta) të Bankës Botërore, synon të absorbojë maksimalisht ato për zbutjen e papunësisë, varfërisë përmes investimeve në projekte që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka theksuar Krasniqi.

Ndërsa, drejtoresha Van Gelder ka theksuar rëndësinë e rolit të Ministrisë së Financave në bashkëpunimin me Bankën dhe ndër të tjera shprehi vlerësimet e saja të larta për angazhimin e vazhdueshëm të Ministrit për një bashkëpunim të frytshëm me Bankën Botërore dhe implementimin e suksesshëm të projekteve.

Në këtë takim gjithashtu u bë e ditur se që nga viti 1999 Banka Botërore ka investuar ose menaxhuar në Kosovë përafërsisht 400 milionë dollarë, përmes mbi 30 projekteve, përfshirë edhe fonde të mirëbesimit/donacione. Projektet kryesisht kanë qenë në fushat si energjia, arsimi, bujqësia, kadastra, shëndetësia dhe siguria e ujit.

Portofoli e tanishme përbën 7 projekte aktive, në shumën totale 161 milionë dollarë, përfshirë këtu edhe dy projektet (Financim Shtesë për Projektin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Projektin e Konkurueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport), të cilat duhet t`i prezantohen Kuvendit për ratifikim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme