Kredi veç me letërnjoftim e për 15 minuta- oferta e rrezikshme që po i tërheq qytetarët

Prishtinë | 10 Sht 2018 | 13:43 | Nga

Qytetarët e vendit dita-ditës po u largohen bankave. Procedurat e zgjatura e dokumentet e shumta që po u kërkohen nëpër banka, kanë bërë që ata tu drejtohen institucioneve financiare jo bankare që janë hapur së fundi në vend.

Nga këto institucione i kanë thënë Gazetës Express se numri i kosovarëve të interesuar për kredi nëpër pikat e tyre është shumë i madh. E në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar se aktualisht në vend janë të licencuara mbi 60 IFJB. Por, nga ekspertët bankar, numri kaq i madh i tyre po shihet si rrezik, shkruan Gazeta Express.

Para dy muajve, Agnesës nga Prishtina i duheshin paratë urgjentisht. Kishte shkuar në disa prej bankave në vend, por asnjëra prej tyre nuk i kishte mundësuar që të merrte kredi aq shpejtë.

Për shkak të procedurave të stërzgjatura nëpër banka e dokumenteve të shumta që i kërkoheshin, ajo vendosi që tu drejtohej institucioneve financiare jo-bankare që kanë filluar të operojnë në vend së fundmi.

Ajo tregon  se si për 15 minuta e vetëm me letërnjoftim kishte marrë kredi në vlerë prej 1 mijë eurove. Gjersa, shprehet e habitur se sa shpejtë kishte arritur që t’i siguronte paratë që i nevojiteshin.

Njëjtë sikur Agnesa kanë filluar të veprojnë shumë qytetarë në vend. Kështu kosovarët dita-ditës kanë filluar që të largohen prej bankave, e tu drejtohen IFJB-ve.

E një prej institucioneve financiare jo-bankare që po lëshon kredi të shpejta në vend është edhe “Monego”.

Ani pse nuk ka shumë kohë që ka filluar të operojë në Kosovë, “Monego”, po ka shumë punë. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, këtij institucioni për kredi i drejtohen rreth 500 persona në ditë.

Në këtë institucion kanë treguar për Gazetën Express se vetëm për dy muaj, kanë aplikuar për kredi më shumë se 26 mijë qytetarë. Gjithë këta kanë marrë kredinë vetëm me letërnjoftim.

“Prej fillimit të operimit e deri më sot, rreth 26 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për kredi tek Monego”, kanë treguar ata.

Por, thonë se shumica e këtyre kredive kanë qenë kredi të vogla, por të realizuara në kohë të shpejtë. Deklarojnë se ofrojnë kredi prej kryesisht prej 20 deri në 200 euro, derisa thonë se mund të lëshojnë edhe kredi edhe deri në 1 mijë euro.

“Meqenëse ne ofrojmë kredi të vogla e të shpejta, po ashtu edhe kërkesa e qytetarëve ka qenë për kredi të vogël por e realizuar në kohë të shpejtë. Momentalisht ofrojmë kredi prej 20 deri në 200 Euro, por shumë shpejtë do të ofrojmë edhe kredi me këste dhe me vlerë deri në 1000 Euro”.

Gazeta Express ka provuar që të kontaktojë edhe me institucionet e tjera financiare jo bankare që operojnë në Kosovë, për të marrë informacione për numrin e të interesuarve, por në këto institucione nuk kanë pranuar të flasin me arsyetimin se nuk e kanë të lejuar të japin informata.

E në institucionin që është përgjegjës për licencimin e IFJB-ve, deklarojnë se vetëm gjatë vitit të kaluar janë dorëzuar 8 aplikacione për licencim.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti i ka thënë Gazetës Express se prej këtyre aplikacioneve pesë IFBJ janë regjistruar, ndërsa thotë se tri aplikacione të tjera janë nën shqyrtim.

“Në vitin 2017 në Bankën Qendrorë të Republikës së Kosovës, janë dorëzuar 8 aplikacione për regjistrim të Institucioneve Financiare jo-bankare. Nga ky numër 6 IFJB janë regjistruar. Sa i përket vitit 2018, kemi pranuar 8 aplikacione, përfshirë edhe dy aplikacione që janë bartur nga viti 2017. Nga ky numër 5 IFJB janë regjistruar, përderisa 3 aplikacione janë në shqyrtim”, ka thënë Ahmeti për Express.

Ndërkohë nga njohësit e sistemit bankar, hapja e shumë institucioneve të tilla po shihet edhe si rrezik, pasi që siç thonë qytetarët nuk janë shumë të informuar rreth tyre.

Eksperti bankar, Flamur Keqa i ka thënë Gazetës Express se themelimi i institucioneve financiare jo bankare është i rregulluar edhe me legjislacionin që hartohet nga ana e rregullatorit.

Por, thotë se Banka Qendrore e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme për numrin e institucioneve që i licencon. Shton se ngarkimi i tregut me operatorë të tepërt krijon çrregullime në treg dhe mund të ndikoj negativisht në zhvillimin e konkurrencës.

“Pavarësisht mundësisë ligjore për të hapur institucione financiare jo bankare licencuesi i këtyre institucioneve duhet të jetë i kujdesshëm për numrin të cilin e licencon. Kjo vlen edhe për institucionet bankare dhe të tjera. Tregu në ekonominë kosovare paraqet një mekanizëm dhe hapësirë ku sfidohen oferta dhe kërkesa për produkte dhe shërbime të caktuara jo-bankare”, tha Keqa.

Keqa deklaron se qytetarët nuk po kanë shumë informacione lidhur me aktivitetin e këtyre institucioneve, licencimin dhe mbikëqyrjen dhe se kjo krijon rrezik që edhe të mashtrohen.

“Kohëve të fundit në treg po vërehet paraqitja e institucioneve të ndryshëm financiare për të cilat publiku kosovar nuk po ka informata të mjaftueshme apo nuk ka aspak informata lidhur me aktivitetin e tyre, licencimin, mbikëqyrjen dhe kjo krijon rrezik dhe njehërit frikë potenciale sa i përket mundësisë eventuale të mashtrimit, keqpërdorimit e kështu me radhë”, deklaroi Keqa.

Ndryshe, në tërë vendin të licencuara nga BQK-ja janë vetëm 10 banka, të cilat kanë filialet e tyre nëpër gjithë Kosovën, ndërsa numri i IFJB-ve shkon në mbi 60, të cilat ofrojnë mundësi pagese, kredi dhe transferim parash.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme