Kurti: Është e domosdoshme që mërgata të bëhet pjesë e ekonomisë së Kosovës

Prishtinë | 14 Gus 2018 | 11:43 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka hapur dyert e zyrës së saj për t’i pritur bashkatdhetarët në vizitë.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, ka thënë se këtë pritje po e bëjnë për ta shprehur mirënjohjen dhe falënderimin që kanë për kontributin e mërgimtarëve, raporton Ekonomia Online.

Kreu i VV-së tha se duan që kontributi ekonomik i mërgatës të njihet edhe më shumë.

“Vitin e kaluar, mërgata jonë ka sjellë 760 milionë euro në Kosovë, nëpërmjet atyre që quhet remitanca”.

“Ne duam që ky kontribut i mërgatës të dihet dhe të njihet më shumë. Në të njëjtën kohë duam që kjo të ndryshojë në të ardhmen, me një qeverisje të re, ku mërgata jonë do të jetë edhe faktor i zhvillimit ekonomik, e jo vetëm i mbijetesës sociale”.

Kurti tha se do të ishte mirë që bashkatdhetarëve t’u krijohet mundësia që të bëhen aksionarë në ndërmarrje publike e private këtu në Kosovë, raporton EO.

“Unë besoj që është e domosdoshme që mërgata jonë të bëhet pjesë e ekonomisë së Kosovës, nëpërmjet asaj që e kemi quajtur fond sovran, ku do të blinte aksione në ndërmarrje shoqërore, të strukturuara e të bëra bashkë, pasi që ia kemi marrë nga dora edhe qeverisë ato fonde publike, edhe AKP-së ato shoqërore”.

“Në vend se mërgimtarët tanë të blejnë pafund banesa, të ndërtojnë shtëpi, të cilat ngelin në pjesën më të madhe të vitit kapital i vdekur, është shumë më mirë sikur mërgata jonë ta kishte mundësinë të blejë aksione në këto ndërmarrje që i kemi quajtur fond sovran”.

“Janë 32 mijë biznese shqiptare në Gjermani. Nëse 1% prej tyre do të vinin në Kosovë që ta hapin një degë të biznesit, atëherë ne do t’i kishim 320 biznese në Kosovë dhe peizazhi socio-ekonomik do të ndryshohej menjëherë”.

“Ndërmarrësit në diasporë duhet të vijnë këtu dhe për këtë nevojitet sundimi i ligjit, shteti i së drejtës, t’i bëjmë aksionarë në ekonominë e Kosovës, përkatësisht në ndërmarrjet publike e shoqërore. Pse ta zëmë, në Trepçë, në KEK, në Telekomin e Kosovës, të mos investojnë mërgimtarët tanë”.

Sipas Albin Kurtit, dy problemet kryesore të bashkatdhetarëve tanë janë shkolla shqipe dhe mundësia e votimit.

“Në veçanti, ne po i dëgjojmë bashkatdhetarët tanë për vështirësitë që i kanë, e në mesin e tyre, unë do të kisha theksuar dy: e para shkolla shqipe, janë të brengosur për rënien e cilësisë së shkollës shqipe, dhe këtu edhe Kosova, edhe Shqipëria, duhet  të bashkëpunojnë dhe të bëjnë edhe më tepër se që po bëjnë.  Duhet t’i përzgjedhim arsimtarët më të mirë që i kemi të gjuhës shqipe e t’i çojmë në Gjermani, e në Zvicër, Skandinavi, Britani e ShBA, sepse është i mundshëm integrimi përmes mësimit të gjuhës shqipe”.

“E dyta është votimi, i cili ka aq shumë pengesa dhe vështirësi burokratike e administrative. Në fushatën e zgjedhjeve të vitit të kaluar, mërgata jonë është dashur të votojë para se të fillojë fushata”.

“Ne kemi ambasadat dhe konsulatat tona ku nuk lejohet që të votojë mërgata jonë. Kosova ekziston si shtet edhe në Gjermani, mirëpo në Kosovën që ekziston në Gjermani, qytetari që jeton atje është i privuar nga e drejta themelore, demokratike, kushtetuese, siç është ajo e votimit”.

Të ngjashme