Kurti: Kosova eksporton në Shqipëri ndërsa importon nga Serbia

Prishtinë | 04 Shk 2018 | 13:11 | Nga

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka risjell statistikat e raportit të importit dhe eksportit të vendit, ku theksohet dallimi 1 me 10 të cilat sipas tij nuk tregojnë aspak situatë të mirë.

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deficiti tregtar për muajin dhjetor 2017 u rrit për 8.5% në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2017 kishte vlerën 29,4 milionë euro, ndërkaq importi 297,3 milionë euro”.

“Kësisoj, raporti eksport/import është veçse 1/10”, ka shkruar Kurti në Facebook

Ai thekson se eksportet e Kosovës në Shqipëri në dhjetor të vitit 2017 ishin dyfish më të mëdha sesa në Maqedoni dhe trefish më të mëdha sesa në Serbi ose Mal të Zi.

Sipas Kurtit, importet e Kosovës ishin mbi katër herë më të mëdha nga Serbia sesa nga Shqipëria.

“Ja se çfarë shifrash kemi për pasqyrë në vigjilje të shënimit të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës! As sovranizimi shtetëror, as zhvillimi ekonomik dhe as patriotizmi nuk e kanë kështu”, thekoi Kurti.

Ai gjithashtu ka thënë se tri reformat drejt shtetit zhvillimor (Fondi Sovran, Agjencia e Zhvillimit, Banka Zhvillimore) të cilat i patën prezantuar gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit 2017, janë rruga e duhur dhe zgjidhja e vetme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme