Lekaj inspekton punimet në autostradë, nuk pret ndëshkime nga “Bechtel-Enka”

Ferizaj | 14 Sht 2017 | 16:52 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka inspektuar punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.

Pas inspektimit të punimeve, Lekaj u zotua se Qeveria do të kryejë të gjitha obligimet që kanë ndaj operatorit “Bechtel-Enka”. Ai tha se nuk do të ketë penallti nga kompania kundrejt Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Sipas Lekajt, autostrada “Arbën Xhaferi” do të përfundojë në fund të vitit 2018.

Ndërtimi i autostradës ka nisur në korrik të vitit 2014, ka gjatësi 62 kilometra dhe kushton rreth 600 milionë euro.

“E kam nderin e posaçëm si ministër i Infrastrukturës, që inspektimin e parë rrugor ta bëjë në këtë autostradë, e cila e lidhë korridorin e tetë… Më bëri përshtypje standardi i punimeve dhe siguria e punëtorëve, për këtë periudhë kohore që kanë punuar 1 600 punëtorë, nuk ka ndodhur asnjë aksident. Është duke u zhvilluar një standard i lartë i punimeve dhe duhet vlerësuar”, tha Lekaj, për gazetarët.

“Ka pasur prolongime, por jo me fajin e konsorciumit ‘Bechtel & Enka’, por shkaku i ngecjeve për formimin e institucioneve. Por, mund të them lirisht që segmenti i dytë do të përfundojë më 31 dhjetor në fund të këtij viti. Ne u zotuam që do t’i kryejmë obligimet tona”.

Ndërsa punimet e segmentit të tretë që fillojnë nga fshati Doganaj deri në Han të Elezit, do të përfundojnë në fund të vitit 2018, saktësoi Lekaj.

“Inspektimi i sotëm i këtyre punimeve ka një domethënie, që t’u themi qytetarëve se nga këtu fillon qeverisja e mirë. Do të kërkojmë edhe llogaridhënie dhe nuk do të lejojmë kompanitë t’i prolongojnë punimet dhe të zgjasin me vite të tëra, sikur që ka ndodhur deri më sot. Sikur që ne i kryejmë obligimet ndaj kompanive, po ashtu nga kompanitë do të kërkojmë llogaridhënie”.

“Nuk do të ketë vonesa për përfundimin e punimeve dhe ne kemi përkrahjen e kryeminstrit, të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, për këtë projekt dhe në projektet tjera që kanë një domethënie të madhe për shtetin e Kosovës”, ka shtuar ministri i ri.

Ai ka folur dhe për pakënaqësitë e disa bizneseve dhe banorëve të fshatit Gërlicë. “Sa i përket qasjes për lidhjen në këtë autostradë, në fshatin Gërlicë, do ta zgjidhim këtë kërkesë të qytetarëve sa më shpejt dhe do t’u përgjigjemi kërkesave të tyre”.

Ndërsa drejtori i projektit, Riyadh Alkhazraji, tha se “Bechtel & Enka” do të vazhdojë të bëjë punën mirë, ashtu siç e ka bërë deri më tani.

Ai u zotua se punimet dhe të përfundojnë në afatin e paraparë.

Të ngjashme