Ligji për Tatimin në Pronë me direktiva të BE-së

Prishtinë | 11 Tet 2016 | 15:43 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Financave (MF) në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) kanë mbajtur takimin e përbashkët për të diskutuar lidhur me ndryshimet e ligjit të kaluar me Projektligjin e ri të Tatimit në Pronë për komuna.

Gjithashtu u diskutua edhe nevoja për ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se ky Projektligj është në përshtatje me direktivat e Bashkimit Evropian.

Hoti tha se Draftligji për Tatimin në pronë, i paraqitur para kryetarëve të Komunave përcakton disa ndryshime në procedurat e mbledhjes dhe normave në tatimin në pronë.

“Ky ligj nënkupton ndryshime që kanë të bëjnë me tatimin në pronë e që është pjesë e departamentit për pushtetin lokal. Ndryshimet në këtë Projekt Ligj do të mundësojnë përshtatjen e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian dhe për të thjeshtuar disa procedura si dhe për të shtuar tatimin në tokë dhe patundshmërinë tjetër të pronës”, tha Hoti në mbledhjen me kryetar të komunave.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli, ka konsideruar që ky bashkëpunim të jetë në të mirë të të gjithëve.

“Ky ligj është i rëndësishëm për pushtetin lokal pasi që bënë kontrollin e të hyrave vetanake. Dhe ne jemi të interesuar që ky tatim në pronë të rritet. Gjithashtu ne e vlerësojmë pozitivisht angazhimin e Ministrisë së Financave për avancimin e këtij ligji”, tha Naim Ismajli, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Shtimes.

Sa i përket Projekt ligjit mbi tatimin në prone, kryetari Ismajli tha se ky Projekt Ligji mbi tatimin në pronës është një ndër ligjet më të rëndësishme, sepse e hyra nga tatimi në pronë vlerësohet si e hyra kryesore për komunat, edhe për faktin se të gjitha të hyrat nga tatimi në pronë kthehen drejtpërdrejtë tek qytetari në formë të investimeve.

“Duhet të jemi të sinqertë dhe të themi që komunat janë duke bërë çmos që të hyrat nga ky tatim të ngritën edhe më tutje ndërsa nga ana tjetër vlerësojmë shumë pozitivisht veprimin e Ministrisë së Financave që e ka shtyrë procesin e faljes së borxheve sepse kjo do të ndikojë në ngritjen e inkasimit nga kjo e hyrë vetanake”, ka thënë Ismajli.

Drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë në kuadër të MF-së, Shkëlzen Morina, paraqiti ndryshimet e bëra në projekt ligjin e Tatimit në Pronë, ndërsa drejtori i Departamentit të Buxhetit të MF-së, Salvador Elmazi, paraqiti nevojat dhe mundësitë për të ndryshuar Ligjin e Financave Lokale të cilat duhet të fillojnë të pasqyrohen që nga Koncept Dokumenti për nisjen e procedurave për ndryshimin e këtij akti ligjor.

Kryetarë të Komunave dhe drejtorët komunal, kryesisht ata të Financave dhanë disa komente dhe sugjerime për nevojën e ndryshimit të këtyre akteve ligjore.

Të pranishmit u dakorduan që komunat të përmbledhin vërejtjet dhe rekomandimet në strukturat e Asociacionit të Komunave të Kosovës deri më datën 21 tetor 2016 në mënyrë që Ministria e Financave të ketë versionin e pushtetit lokal për këto dy akte ligjore.

Të ngjashme