Limaj e Reçica në Suharekë takohen me 176 familje që marrin asistencë sociale, iu premtohet punësim

Suharekë | 19 Pri 2018 | 15:28 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, kanë takuar familjet përfituese të Skemës së Ndihmës Sociale në komunën e Suharekës.

Zëvendëskryeministri Limaj tha se sot janë ftuar 176 familje që nuk kanë asnjë të punësuar, por janë të aftë për punë duke u mundësuar atyre që të kyçen në qendra të aftësimit në mënyrë që të jenë të gatshëm për tregun e punës, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se së bashku do gjejmë zgjidhjen e këtyre problemeve dhe se javën e ardhshme do fuqizohet Parku i Biznesit në Suharekë ku Qeveria e Kosovës do të investojë mbi 2 milionë euro.

“Ideja dhe qëllimi i këtyre takimeve që do vazhdojnë edhe më tej është që të njoftohen drejtpërdrejtë njerëzit tanë me mundësitë që ka shteti dhe komuna për të iu ofruar një shans dhe mundësi burrave, grave ,djemve të rinj që të punojnë”, tha Limaj

“Theranda është komuna që njihet si komuna më punëtore dhe me njerëz më punëtor dhe ne kemi ardhur të ju mbështesim dhe t’ju tregojmë që duhet punuar”, shtoi Limaj.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke punësuar në disa plane bashkëpunimi me komuna për vende të reja punë, kontakte e angazhime me shtetet mike të Bashkimit Evropian për të ndërtuar marrëveshje të punësimit sezonal”, tha Limaj.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët janë të aftë të punojnë të paraqiten në qendrat e aftësimit profesional dhe të kërkojnë trajnime në fushat përkatëse që duhan të aftësohen.

Ai shtoi se gjatë kohës së trajnimit nuk do të kenë ndërprerje të skemës sociale, por kjo mbështetja do të vazhdojë më tutje.

“Ky takim është pjesë e projektit tonë si ministri lidhur me punësimin e nje anëtari të familje që nuk e kanë asnjë të punësuar dhe në rastin konkret të ndërlidhet me kategorinë e dytë të cilët janë përfitues të skemës së ndihmave sociale”.

“Për këtë ne si Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale me mbështetje të Qeverisë e sidomos të zëvendëskryeministrit Limaj jemi të përkushtuar që juve të ju ofrojmë atë që meritoni të merrni të ardhurat tuaja nga djersa e juaj”, tha Reçica.

Ndërsa, Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj falënderoi zëvendëskryeministrin Limaj dhe ministrin Reçica për vetëdijesimin e popullatës të cilët janë përfitues të skemës sociale të angazhohen në punë.

“Qëllimi kryesor i kësaj Qeverie është që ju të gjithë të punësoheni dhe të mos kërkoni lëmoshë nga askush”, tha Muharremaj.

Të ngjashme