Lluka: Trepçën e gjetëm në gjendje të rëndë, kemi bërë kërkesë për auditim

Prishtinë | 19 Mar 2018 | 11:57 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekomomik (MZhE) Valdrin Lluka, tha se kur e ka marrë detyrën Trepçën e ka gjetur në gjendje të rëndë.

Para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal. Lluka na numëruar veprimet e ndërmarra për funksionalizimin e kësaj ndërmarrje, raporton Ekonomia Online.

Ai ka premtuar se kjo ndërmarrje do të jetë shumë shpejt në funksion e me bord të kompletuar pasi që intervistat e fundit do të mbahen më 25 mars.

“Në muajin dhjetor e kemi hap shpalljen rreth kompletimin e bordit. AKP i ka hequr të gjitha obligimet ndaj Trepçës. Për shkak se nuk është një ndërmarrje me status të caktuar edhe vendimmarrja është më problematike. Bordi sipas procedurave presim që ta kemi funksional, me 25 mars është koha e intervistave. 9 anëtarë të bordit 2 vijnë nga përfaqësuesit e punëtoreve dhe 7 janë nga Qeveria”.

Lluka ka sqaruar se për të gjitha këto pa rregullsi kanë bërë kërkesë që të ketë një auditim në këtë ndërmarrje.

“Ka pas rënie të përpunimit të xeheve. Janë zvogëluar humbjet me kohë. Numri i punëtorëve ka qenë në zvogëlim e sipër. Ne si komision ndërministror kemi marr vendim që të bëjmë kërkesën nga një auditor i përgjithshëm ta bëjmë auditimin e Trepçës”.

Kryetarja e komisionit Sala Berisha-Shala tha se situata e krijuar në ndërmarrjet publike sidomos në Trepça është shqetësuese.

“Pse kaq shumë muajsh të qeverisjes nuk e keni filluar implementimin e Ligjit për Trepçën? Ligji për Trepçën ka hy në fuqi me 31 tetor të vitit 2016 dhe nuk e shohim asnjë hap para në zbatimin e ligjit. Do të duhej qe Trepça ta kishte bordin e ri. Historiku i Trepçës do të na hynte në punë qe ti përmirësonim gabimet”.

Memli Krasniqi nga PDK tha se nëse pas këtyre 6 muajve nuk ka diçka konkrete për funksionalizimin e ndërmarrjes, frika është që nuk do ta mund ta fusim në binar Trepçën.

“6 muaj kanë qenë mjaftueshëm që me fut në binar këtë ndërmarrje. Pse pas disa muajve është pezulluar ky proces”.

Dardan Sejdiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se tentimi për trajtim të Trepçës po bëhet që 19 vjet.

“Kur është sjellë ky ligj në kuvendin e Kosovës dy leximet janë bërë brenda ditës, të gjitha vërejtjet që i kemi dhënë asnjë nuk është marrë parasysh”, tha ai.

Hykmete Bajrami nga LDK tha se është shqetësim zvarritja e procesit të emërimit bordit.

“Ju nuk po na e thoni që është politizim i procesit. Jam shumë skeptike që nëse intervistat fillojmë me 25 mars, në prill do të ketë bord. Duke marrë parasysh këtë situatë të pa definuar meqenëse ka mbet pa bord, lenë shumë me dëshiruar. Ne presim që ju të luani rolin e juaj dhe jo duke u përzier në komision por të paktën me i kërkuar komisionit me kryer punën e tyre”.

Menaxheri i përgjithshëm i Kombinatit Trepça, Ahmet Tmava, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e drejtorit të kësaj ndërmarrje ditë më parë.

Tmava ka deklaruar ne prononcimet e tij për media se veç shqetësimeve tjera edhe ndërhyrjet e ministrit Valdrin Lluka, duke e privuar nga e drejta e ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive në këtë periudhë të tranzicionit.

Ndërkaq ministri pati deklaruar së mandati i drejtorit të Trepça ka përfunduar me datën 5 shkurt 2018, andaj “dorëheqja”, është tendencioze, jo e sinqertë dhe nuk krijon pasoja juridike.

 

Të ngjashme