MSA-ja nuk ia shtoi eksportin Kosovës

Prishtinë | 07 Sht 2017 | 16:05 | Nga

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e nënshkruar nga Kosova dhe Bashkimi Evropian, e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016, me gjithë efektet pozitive, nuk ka ndikuar shumë në shtimin e eksportit të mallrave.

Autoritetet e Kosovës, sipas përfaqësuesve të bizneseve nuk janë treguar të vëmendshme në zbatimin sa më të mirë të kësaj marrëveshje dhe mundësive që ajo i ofron shtetit të Kosovës.

MSA pati hyrë në fuqi në prill të vitit të kaluar dhe ishte konsideruar si hapi i parë në kuadër të proceseve integruese evropiane për Kosovën.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha për Radion Evropa e Lirë se sektori privat nuk ka pasur mbështetje institucionale që të absorbojnë mundësit që ofron MSA-ja.

“Duhet të kuptohet që rruga që komunikohet për absorbimin e mundësive nga Bashkimi Evropian janë projekte, studime fizibiliteti, por të gjitha këto duhet të bazohen në shtyllat kryesore e ato janë ekspertiza shkencore dhe sundimi i rendit e ku Kosova në këto dy shtylla ka ngecur dhe është duke ngecur. Në këtë drejtim, është koha që duhet të punohet më shumë në fuqizimin e tyre nëse mendojmë që të ketë efekte MSA-ja”, thekson Gërxhaliu.

Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), deri në vitin 2020 është thënë se do të investojë në Kosovë, mbi 600 milionë euro, ku nga kjo shumë e mjeteve do të përfitojnë edhe prodhuesit nga Kosova.

Niveli i ulët i eksporteve të Kosovës, shton Gërxhaliu është një indikator i cili tregon se efektet e MSA-së nuk janë të dëshiruara.

“Lëvizjet në rritjet e eksporteve janë minore dhe e tëra kjo dëshmon se shumë më tepër ka pasur mundësi MSA-ja sesa që e kemi shfrytëzuar. Kosova duhet të orientohet në ekonomi dhe kur të vendosim të jemi të orientuar në ekonomi duhet ta mbështesim sektorin privat, në veçanti sektorin prodhues, me kusht që të kemi stabilitet social përmes krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësim të bilancit të pagesave, përshpejtim të proceseve integruese dhe përmirësim të imazhit përmes produkteve Made in Kosova”, thotë Gërxhaliu.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se eksporti i mallrave në muajin korrik 2017 kishte vlerën prej rreth 40 milionë euro, ndërsa importi rreth 300 milionë euro.

Ndërkohë, me zbatimin e MSA-së të hyrat doganore në Kosovës kanë shënuar ulje, pasi që produkte janë liruara nga taksa doganore e për disa nga produktet janë ulur taksat.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se janë 19 milionë euro më pak të hyra që nga fillimi i zbatimit të MSA-së.

“Nëse shihet në aspektin e eksportit, ne kemi rritje të eksporteve drejt vendeve evropiane, për arsye se edhe eksportet e Kosovës drejt vendeve evropiane janë më të lira dhe shkojnë pa paguar taksa dhe kanë beneficionet të ndryshme. Trendi i rritjes së eksporteve është nga 10 deri në 15 për qind”, thekson Stavileci.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

MSA-ja kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë që mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile t’i përmbushin standardet e aplikuara të Bashkimit Evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme