Mustafa: Auditori, rol vendimtar në krijimin e rregullsisë financiare të institucioneve

Prishtinë | 07 Kor 2016 | 15:03 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën e 8-të Vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila iu kushtua rolit të Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në Kosovë.

Kryeministri Mustafa vlerësoi lartë punën e Auditorit të Përgjithshëm dhe rëndësinë e auditimit të pasqyrave financiare të institucioneve të vendit.

“Përmes tyre ne do të ndikojmë që të përmirësohet shfrytëzimi i parasë publike dhe që të zbatojmë ligjin në procedurat financiare. Prandaj, e vlerësojmë lartë rolin tuaj në krijimin e rregullsisë financiare të institucioneve të vendit në shfrytëzimin e drejtë të parasë publike dhe po ashtu në perspektivën që ne duhet ta ndërtojmë në vend, në zbatimin e rregullit dhe të ligjit”, tha ai.

Kryeministri Mustafa shprehu po ashtu përkrahjen e Qeverisë për institucionin e Auditorit të Përgjithshëm duke theksuar angazhimin që të respektohen në rend të parë të gjitha rekomandimet e tij.

“Por, para së gjithash të respektohet pavarësia funksionale, pavarësia financiare dhe ajo operative e Zyrës Kombëtare të Auditimit, sepse ju edhe me ligj edhe me Kushtetutë, por edhe në veprimin faktik duhet të jeni të pavarur. Kjo zyre është institucion tepër i rëndësishëm i Kosovës dhe vlerësoj se profesionalizimi, paanësia dhe qasja për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës në rregullsinë financiare do të jetë preokupim themelor i juaji dhe do të jetë mënyrë e përshtatjes dhe sjelljes së Zyrës Kombëtare të Auditimit”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa foli edhe për procesin e reformës së menaxhimit të  financave publike dhe për aplikimin e platformës së prokurimit elektronik.

“Përmes kësaj do t’iu ndihmojmë edhe juve, do t’i ndihmojmë rritjes së transparencës, do të minimizojmë gabimet gjatë procesit të planifikimit dhe implementimit të kontratave të prokurimit, sidomos të nënvizoj, atyre që kanë të bëjnë me implementimin e këtyre kontratave”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se me bashkërenditje dhe bashkëveprim institucional dhe me një rritje të besimit reciprok, do të arrihet që të forcohet qeverisja e vendit, kredibiliteti i institucioneve edhe brenda edhe para faktorit ndërkombëtar dhe që të kapërcehen proceset e integrimeve evropiane.

Besnik Osmani, auditor i përgjithshëm, ka falënderuar të pranishmit për kontributin dhe zotimin për të punuar në partneritet me Zyrën Kombëtare të Auditorit të Përgjithshëm.

“Ky është një mekanizëm tradicional që Zyrës së Auditorit i shërben për të vlerësuar sezonin dhe për të nxjerrë konkludime të rëndësishme për aktivitetin e periudhës pasuese. Ne, edhe këtë vit duam t’i ndajmë sfidat tona me partnerët tanë, me Kuvendin, Qeverinë, shoqërinë civile dhe me mediat”, tha Osmani.

Ai më tutje ka folur për rezultatet dhe të arriturat e Auditorit duke vlerësuar bashkëpunimin me entitetet.

“Lajm i mirë është qeverisja dhe menaxhimi financiar dhe i kontrolleve në përgjithësi ka shënuar progres dhe rritje. Lajmet e këqija kanë të bëjnë me ritmin e përmirësimeve që vazhdon të jetë i ngadaltë dhe me ngecje në disa fusha të rëndësishme, që lidhen edhe me planifikimin buxhetor, edhe me atë të shpenzimeve dhe me pasuritë financiare”, tha ndër të tjera Osmani, duke shprehur bindjen se vet pjesëmarrja e kryeministrit Mustafa  në këtë takim, është një sinjal pozitiv dhe dëshmi e përkushtimit se rekomandimet në të ardhmen do të implementohen më mirë.

Të pranishmit në këtë konferencë i ka përshëndetur edhe Dardan Kryeziu, përfaqësuesi i rrjetit të organizatave të shoqërisë civile, Civikos, i cili ka shprehur përkushtimin për të avancuar bashkëpunimin mes shoqërisë civile dhe institucioneve publike.

“Roli i raportit të auditorit është shumë i rëndësishëm për punën e shoqërisë civile, pasi që e adreson menaxhimin apo themi keqmenaxhimin e parasë publike, ku organizatat e shoqërisë civile kanë një rol shumë të rëndësishëm për krijimin e një sistemi transparent të shfrytëzimit të parasë publike”, tha Kryeziu.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme