Nis ndërtimi i autostradës së re, Haradinaj thotë se e gjithë infrastruktura kryhet më 2023

Prishtinë | 15 Pri 2018 | 13:32 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kanë nisur zyrtarisht punimet për ndërtimin e autostradës 22-kilometërshe që do ta lidhë Anamoravën me kryeqytetin.

Fillimi i punimeve është bërë në Zhegoc të Gjilanit, pikërisht në ditën kur shënohet edhe 19-vjetori i Betejës së Zhegocit, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ky është një moment që qytetarët e kanë pritur gjatë.

“Ka diçka që na bën sot me u ndi më mirë sesa viteve të tjera kur kemi kujtuar të rënët për liri. Sot, bashkë me këtë emocion, e kemi edhe një ndjenjë arritjeje. Atdheu ynë po bëhet më bashkë; po bëhet më afër edhe Presheva me Prishtinën”, tha Haradinaj.

Kreu i Qeverisë theksoi se kjo autorrugë me katër korsi do t’i lidhë njerëzit, ekonominë por edhe ndjenjat.

“Më vjen mirë që 87 milionë euro të pjesës së parë janë të zotuara. Në këta parametra dhe në këtë qëllim nuk do dështojmë as qeveria as punëkryesi. Kemi edhe pjesën e mbetur për këtë autostrade po ju premtoj që do vazhdojmë”, tha Haradinaj.

“Nuk është meritë e imja kjo, e Qeverisë Haradinaj, është e të gjitha qeverive, e taksapaguesve. Po i dalim zot çdo pjese të atdheut. Prishtina do jetë e lidhur me Pejën, Gjakovën, Shkupin, Tiranën. E gjithë infrastruktura e Kosovës do të jetë e kryer në 2023. Nuk do të ketë vendbanim urban pa u lidhur në autorrugë”, theksoi shefi i Qeverisë, raporton EO.

Lekaj: Një gjigand infrastrukturor me 22,61 km, 4 shirita, dhe të gjitha standardet

Në ceremoninë e inaugurimit të punimeve merrnin pjesë dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj; ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj; kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri; e shumë qytetarë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se sot po nis ndërtimi i këtij gjigandi infrastrukturor, falë dhe gjakut të dëshmorëve që e solli lirinë. “Përkujtimi i dëshmorëve që ranë në altarin e lirisë është detyrë dhe obligim i yni, sepse falë gjakut të tyre kemi mundësi të investimit në infrastrukturë rrugore”, u shpreh Lekaj.

“Jemi këtu për të nisur një gjigand infrastrukturor me 22,61 km me 4 shirita dhe të gjitha standardet e nevojshme, që do shkurtojë kohën e lëvizjes nga Prishtina në Gjilan dhe në Evropë”.

Ai theksoi se është prioritet i MI-së që t’i lidhin qytetarët dhe bizneset mes vete.

“Vitin 2019 do të fillojë edhe autostrada Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë. Rrugët duhet të shihen si jetike për Kosovën”, u shpreh ai.

Reshitaj: Edhe Gollaku do të të ketë autorrugë moderne

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, u shpreh e lumtur për fillimin e ndërtimit të kësaj autostrade të re. Ajo theksoi se në 19-vjetorin e Betejës së Zhegocit po jetësohet një vepër madhështore që do t’iu shërbejë qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Jam e lumtur që sot gjendem në Anamoravë në vendin e sakrificës, kulturës… për të nisur një vepër të veçantë për qytetarët e kësaj ane dhe të Kosovës”.

Ajo theksoi se MMPH-ja po luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e rrugëve, duke evituar çdo burokraci në shpronësimin e pronave. Ajo u zotua se do të ndërtohet dhe rruga Badoc-Slivovë-Kamenicë, që edhe Gollaku të ketë autorrugë moderne.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, theksoi se nuk ka pasur ditë më të mirë për fillimin e këtij projekti gjigant, sesa në shënimin e përvjetorit të madh të Betejes së lavdishme të Zhegocit.

Ai ka falënderuar Qeverinë Haradinaj dhe ish qeverinë e Isa Mustafës, përkatësisht ish- ministrin Zharku, për projektimin e kësaj autostrade, projekt ky që do të krijoj zhvillim të hovshëm ekonomik për gjilanasit dhe Anamoravën në përgjithësi.

“Nuk është rastësi që autostradën e kemi çu deri në Konçul sepse Kosova Lindore bashkë me Malësinë e Gollakut përbëjnë 30 për qind e popullatës së Republikës. Ky projekt jep mundësi që edhe në korridorin e kombit, Anamorava dhe kjo zonë të integrohet në më pak se gjysmë ore distancë kohore, por edhe Kosovës i jep mundësi për dalje në korridorin e 10-të ndërkombëtar”, tha Haziri.

“Kjo është një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik dhe qarkullim të shkurtër për qytetarët e Anamoravës dhe për bashkatdhetarët. Së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i rrugës prej Pllakës së Dëshmorëve për Verbicë të Zhegocit për t’u lidhur me Lipjanin. Ky projekt është po aq i rëndësishëm sa autostrada, e cila do t’ua lehtësojë jetën këtyre banorëve që janë kontribuues të mëdhenj të lirisë. Urime kjo ditë e madhe dhe lavdi të gjithë dëshmorëve”, ka thënë Haziri.

Kryeministri Haradinaj, bashkë me ministrat e tij dhe zyrtarët e tjerët, para fillimit të ceremonisë së inaugurimit të punimeve në autostradë, bënë homazhe për të rënët në Betejën e njohur të Zhegocit.

Të ngjashme