OEK apelon të institucionet të mos e rrezikojnë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës

Prishtinë | 05 Jan 2018 | 15:32 | Nga

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në emër të komuniteti i biznesit, thotë se me shqetësim të thellë është duke i përcjellë zhvillimet e fundit politike në vend, të cilat lidhen me përpjekjet për ndryshimin e qasjes ligjore dhe institucionale në raport me Gjykatën Speciale si dhe zhagitjen dhe lojën e fjalëve që po vazhdon në raport me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Duke pasur parasysh një fazë të gjatë të jostabilitetit politik në vend, me një parlament të paralizuar nga gazi lotsjellës dhe me disa cikle të stërzgjatura zgjedhore, si dhe vonesa të paarsyeshme në formimin e institucioneve në nivel lokal dhe qendror, kemi besuar fuqishëm që përfundimisht e gjithë shoqëria dhe lidershipi i vendit do të angazhohen maksimalisht, për një konsensus gjithëpërfshirës që zhvillimi ekonomik, si faktor kyq për stabilitetin në vend, të jetë top prioritet për të gjithë vendimmarrësit. Fatkeqësisht kjo nuk po ndodh ende dhe për më shumë, gjendja ekonomike ka tendencë të përkeqësohet, si rrjedhojë e izolimit në rritje të vendit tonë”, thuhet në një reagim të kësaj organizate.

“Izolimi politik dhe ekonomik, sidomos deri në shpalljen e pavarësisë, ka lënë pasoja të mëdha për trendin e rritjes ekonomike në vend, duke pamundësuar të jemi në hap me vendet fqinje, sidomos sa i përket procesit të integrimeve evropiane. Rinia, shkencëtarët e rinj dhe bizneset, që janë shtyllat kryesore të zhvillimit të tashëm dhe të ardhshëm të shoqërisë tonë, kanë pësuar më së shumti nga izolimi i padrejtë i vendit tonë, që së fundmi më së shumti po i kontribuon klasa politike e vendit tonë”.

Sipas OEK-ut, çdo tentativë për ndryshime sa i përket Gjykatës Speciale dhe çdo tentativë për kthim të demarkacionit në pikën zero është goditje direkte për zhvillimin ekonomik të vendit, më dëme të pariparueshme dhe ndikime të drejtpërdrejta në investimet e huaja dhe eksporte. “Për më shumë do të jetë sinjal i mjaftueshëm për ikjen e ndërmarrjeve ekzistuese që operojnë në Kosovë në vendet fqinje dhe ikje të fuqisë punëtore të kualifikuar në vende që ofrojnë mundësi shumë të mira për zhvillimin e tyre profesional. Gjithashtu e rrezikon realizimin e projektit me të madh investiv dhe më shpresëdhënës ekonomik, Termocentralit Kosova e Re. Apelojmë të institucionet dhe liderët e vendit të vendosin interesin shtetëror para çdo interesi tjetër dhe të marrin vendime të menduara mirë”.

“Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, nuk janë për të ju përshtatur tekeve dhe interesave tona. Nëse këtë vit nuk liberalizohen vizat, do të jetë e pamundshme të presim një gjë të tillë deri ne vitin 2020, pasi që viti 2019 është vit zgjedhor në Baskimin Evropian. Gjithashtu viti 2020 është krucial për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim ne BE, që do të ishte kulmimi i formësimit të shtetit tonë. Nëse vazhdojmë më qasjen vetizoluese të muajve të fundit, dëmet do t’i bartim me dekada”, përfundon reagimi i Odës Ekonomike

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme