OEK rekomandon amandamentimin e Ligjit për Tregti të Brendshme

Prishtinë | 21 Kor 2016 | 12:14 | Nga

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kërkon nga Qeveria e Kosovës që të fillon amandamentimin e Ligjit  për Tregti të Brendshme nr. 2004/18 me qëllim të promovimit dhe rregullimit ligjor të shitjes së produkteve vendore bujqësore.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu thotë se lidhur me draftimin e amendamenteve kanë shikuar të gjitha zgjidhjet ligjore dhe rregulloret e Unionit Evropian për të siguruar pajtueshmërinë me Acsuis Comunitae.

“Qëllimi i këtij amandamentimi është që të krijojë instrumente adekuate të cilat do të ndihmojnë prodhuesit vendorë që të jenë të balancuar në ofrimin e produkteve të veta, kundrejt prodhimeve nga importi. Gjithashtu synojmë që të ofrohet një mjedis i përshtatshëm për promovimin e produkteve vendore që do të siguronin konkurrencë të drejtë dhe kushte të barabarta për prodhimet vendore , duke eliminuar, sa është e mundshme faktorët që cenojnë këto kushte të tregut të brendshëm”, tha Gërxhaliu.

Oda synon që përmes amandamentimit të ligjit, në pajtueshmëri  edhe me institucionet vendore dhe asociacionet e biznesit të sigurohet konkurrencën dhe kushte të barabarta në të gjitha hapësirat tregtuese dhe konsumuese të vendit.

“Me amandamentimin e Ligjit, OEK synon që të realizohet mbrojtja e produkteve vendore nga importuesit dhe fuqia e tyre për të mbizotëruar mbi produktin vendor duke shfrytëzuar instrumente të ndryshme, kryesisht financiare, për të penguar prodhimin vendor. Kjo do të kontribuon edhe në përmirësimin e bilancit tregtar në favor të produkteve vendore, shtimin e të hyrave  në buxhetin e vendit, krijimin e klimës investuese dhe zgjerimin e kapaciteteve aktuale prodhuese dhe përpunuese”, thotë kryetari Gërxhaliu.

OEK, sipas kryetarit, ka propozimet konkrete se si duhet të duken amandamentet në Ligjin 2004/18 dhe pret se kjo iniciativë do të hasë në përkrahje të institucioneve vendore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme