OEK: Votimi i demarkacionit hap mundësi dhe perspektivë për bizneset vendore

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 08:51 | Nga

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) përgëzon deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) vlerëson se ky ratifikim do të hap shtigje të reja për Kosovën në shumë fusha e në veçanti në zhvillimin ekonomik si dhe kthimin e kuptimit të ekonomisë së lirë dhe tregut të hapur bazuar në lëvizje të lirë të mallrave, shërbimeve dhe qytetarëve.

Nevoja për ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë vendore është urgjente me qëllim të përshpejtimit të proceseve integurese, përmbushje të kritereve në rrugëtimin evropian si dhe reformat e shumta institucionale brenda Kosovës.

Votimi i djeshëm i demarkacionit për Kosovën do të thotë shumë, pasi që po i hapet një dritare e re për bashkëpunim dhe avancim të të gjitha proceseve. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, vendosën që të shohin nga e ardhmja. Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që i thanë po ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, kontribuan në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Ata që do të përfitojnë më shumë janë edhe bizneset e Kosovës që për gati për dy dekada me radhë janë ndeshur me shumë probleme që kanë të bëjnë me vizat.

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) si komuniteti më i madh i biznesit në Kosovë, do të jetë në shërbim të të gjitha bizneseve të Kosovës për avancimin dhe konsolidimin e tyre që të jenë sa më afër Evropës.

Por, duhet te kuptohet se vet votimi i ratifikimit të Demarkacionit nuk është një shkop magjik i zgjedhjes së problemeve të grumbulluara në vecanti në tri vitet e fundit sepse na presin sfida të rëndësishme, sidomos sundimi i rendit dhe ligjit, reforma të administratës publike, zhvillimi ekonomik dhe social, kriteret në rrugëtimin integrues dhe mbi te gjitha angazhim substancial në ndryshimin e percepcionit të krijuar për Kosovën dhe përmirësimin e imazhit të saj.

Të ngjashme