Podujeva ofron mundësi të mira për investitorë gjermanë

Prishtinë | 14 Tet 2016 | 18:36 | Nga

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka pritur sot një grup investitorësh gjermanë të udhëhequr nga Christian Wiesenhutter – kryetar i Odës Ekonomike të Berlinit dhe kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, Mustafë Abazi, me te cilët ka diskutuar për gjetjen e mundësive që afaristët gjermanë të investojnë në Podujevë.

Në këtë takim kryetari Veliu prezantoi një profil të Komunës së Podujevës, i cili përmban informacione të rëndësishme, me qëllim që investuesit potencialë gjermanë të kenë një pasqyrë të qartë mbi potencialet dhe orientimet strategjike zhvillimore të Komunës së Podujevës.

“Kryetari Veliu i njoftoi mysafirët gjermanë me politikat që ka hartuar komuna në favor të zhvillimit ekonomik, duke përmendur Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal dhe Planin Zhvillimor Lokal”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.

“Duke iu referuar orientimeve strategjike të Komunës së Podujevës, kryetari Veliu përmendi investimet në bujqësi, kryesisht në përkrahjen e kultivimit të mjedrës, investime të cilat tha se po ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal dhe në punësimin e qytetarëve të Podujevës”, thuhet më tej aty.

Kryetari Veliu prezantoi para afaristëve gjermanë kërkesën dhe nevojën e madhe që kanë kultivuesit e mjedrës në Podujevë për ngritjen e një qendre grumbulluese, e cila do te krijonte mundësitë për ruajtjen e mjedrës, që do të ndikonte edhe në stabilitetin e çmimit të kësaj kulture.

Ndërsa, Christian Wesenhutter – kryetar i Odës Ekonomike të Berlinit, lavdëroi Komunën e Podujevës për hapat e ndërmarrë në krijimin e mundësive dhe lehtësirave për të bërit biznes në këtë komunë. Ai shprehu zotimin e tij se institucioni që ai drejton do të angazhohet në orientimin e bizneseve gjermane për investime në Komunën e Podujevës.

Kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, Mustafë Abazi falënderoi kryetarin Veliu për mikpritjen dhe prezantoi idenë e biznesit që ai drejton, për investim të mbi 3 milionë eurove në ndërtimin banjës termike në fshatin Sallabajë të Podujevës, projekt ky që tashmë ka filluar të realizohet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme