Prokurimi, kanceri i Kosovës

Prishtinë | 10 Dhj 2017 | 09:06 | Nga

Korrupsioni vazhdimisht identifikohet si kanceri që gërryen shtetin e Kosovës përbrenda, ndërsa monitoruesit e këtij fenomeni thonë se ai më së shumti godet vendin përmes prokurimit publik.

Hartimi i specifikave të tenderëve, duke ua përshtatur kompanive të preferuara, vlerësimi jo i duhur i ofertave dhe mosmbikëqyrja e zbatimit të kontratave vlerësohen si potencial për shpërfaqjen e korrupsionit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo po e dëmton buxhetin e shtetit, bizneset dhe rrjedhimisht zhvillimin ekonomik të vendit. Përmes prokurimit publik, kompanitë dhe bizneset të cilat kanë qenë të afërta me politikën janë favorizuar, duke u krijuar kështu më pas një diskriminim dhe qasje selektive në ambientin biznesor. Financuesit e partive politike janë shpeshherë përfituesit më të mëdhenj të tenderëve nëpër institucionet publike. Këtë e thonë edhe përfaqësues të shoqërisë civile si dhe raporte të ndryshme, qoftë vendore apo ndërkombëtare.

Edhe Komisioni Evropian dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) kanë vlerësuar se prokurimi publik është një prej sektorëve më të korruptuar në Kosovë. Kjo nga ana e tyre është parë si shqetësuese për konkurrencën ndërmjet kompanive, transparencën dhe besimin e qytetarëve në institucionet publike.

Afro 600 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës shpenzohen përmes prokurimit publik, fushë kjo e cila për vite me radhë në raportet vendore dhe ndërkombëtare ishte konsideruar si burim i korrupsionit në vend..

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme