Qeveria brenda 30 ditëve do të caktojë Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane

Prishtinë | 13 Maj 2018 | 16:21 | Nga

Këshilltari i Kryeministrit Haradinaj, Erolld Belegu, ka thënë se brenda një muaji do të përcaktohet Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane.

Këtë premtim Belegu e ka dhënë në cilësinë e udhëheqësit të Grupit Punues të emëruar nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka thënë se puna me këtë ekip do të fillojë javën e ardhshme.

“Qeveria e Kosoves ka perkrahur idene e Kryeministrit Haradinaj per krijimin e Zones se veçante ekonomike amerikane dhe para nje jave ka votuar themelimin e grupit punues per identifikimin e vendit ku do te ngritet e njejta sikurse edhe per pergatitjen e infrastruktures ligjore. Jam i nderuar qe Kryeministri dhe qeveria me kane besuar udheheqjen e grupit punues te perbere nga shume institucione qeveritare! Puna do te filloj javen qe vjen duke permbyllur fazen e pare brenda 30 ditesh!”, ka thënë Belegu.

“Kjo zone amerikane do te ofrojë kushte amerikane brenda Evropes duke deshmuar edhe njehere lidhjen tone me SHBA-te!”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, gjatë ditës, edhe Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka dalë pro idesë për një zonë të lirë ekonomike për investitorët amerikanë.

Këtë mbështetje Pacolli e ka dhënë pasi një kërkesë të tillë e ka bërë Arian Zeka, Shef i Odës Ekonomike Amerikane.

“Mbështes fuqishëm idenë për krijimin e zonave ekonomike e në këtë rast, më theks tē veqantë një zonë për investitorët amerikanë në Kosovë, e cila do të ishte shtyllë e shtuar e marrëdhënieve strategjike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të tërheqë kompanitë amerikane për të ardhur në Kosovë”, ka thënë Pacolli, në një reagim në Facebook.

Interesimin e amerikanëve për të investuar në Kosovë e ka thënë edhe Zeka i Odës Ekonomike Amerikane.

“Investitorët amerikanë janë të interesuar për një zonë të veçantë ekonomike në Kosovë ku do të mund t’i gjenin kushte minimale infrastrukturore për të shtrirë investimin e tyre. Institucionet e Kosovës do të duhet ta mos neglizhojnë këtë zonë dhe të jetësohet”, thotë Zeka.

Të ngjashme