Qeveria nuk sqaron pse e hoqi nga lista kandidatin me më së shumti pikë për kryesues të Bordit të ZRrE-së

Prishtinë | 13 Sht 2018 | 08:09 | Nga

Në listën prej katër kandidatëve që i kishin plotësuar kriteret për t’u zgjedhur në pozitën e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Qeveria ia ka dorëzuar për miratim Kuvendit vetëm dy prej tyre. Nga dy kandidatët që ekzekutivi kishte hequr nga lista ishte edhe kandidati që ishte ranguar me më së shumti pikë, shkruan sot Koha Ditore.

Kandidatët që kishin plotësuar kriteret e parapara me ligj – e të cilët janë verifikuar edhe nga Ambasada britanike sipas marrëveshjes për rekrutimin e zyrtarëve profesionalë në pozita të larta shtetërore – ishin Fadil Ismaili, Petrit Pepaj, Përparim Kabashi dhe Bekim Jakupi. Mirëpo, në vendimin e datës 24 korrik të kabinetit qeveritar, të propozuar për kryesues të Bordit të ZRRE-së janë vetëm Petrit Pepaj dhe Bekim Jakupi.

Një sqarim se pse ka ndodhur një gjë e tillë ka munguar nga Zyra e kryeministrit. Në përgjigjen e Zyrës për komunikim të kryeministrit thuhet vetëm se Qeveria e Kosovës kur ka proceduar me emrat për anëtarë të bordit të ZRRE-së ne Kuvend, ka ndjekur procedurat standarde qe aplikohen nga administrata. E në rast se Kuvendi kërkon që të rishikohet përzgjedhja e kandidatëve, Zyra e kryeministrit thekson se do të ndiqen rekomandimet e legjislativit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme