Riinvest: Qeveria dhe ministrat më të korruptuarit në vend

Prishtinë | 13 Sht 2016 | 15:50 | Nga

Përfaqësues institucionesh vendore e ndërkombëtare diskutuan në tryezën “Vlerësimi i korrupsionit në Kosovë”, të organizuar nga instituti “Rinvest”.

Ndër institucionet më të korruptuara në vend është Qeveria, Kuvendi, Gjykatat, Prokuroria, Qeveria komunale etj., kurse, niveli më i ulët i korrupsionit mbetet në FSK.

Sipas publikimit të raportit nga RIINVEST për vlerësimin e korrupsionit në Kosovë, në vitin 2014 rreth 23 për qind të qytetarëve të Kosovës u është kërkuar korrupsion(ryshfet)  për qasje në shërbime publike, ndërsa krahasuar me periudhën e vitit 2016, është rritë kjo dukuri nga 23 në 24 për qind.

Sipas këtij raporti, rreth 48 për qind e qytetarëve në Kosovë janë të përfshirë në korrupsion për të kryer shërbime në administratë publike. Forma e korrupsionit është njëjtë sikur në rajon. Kosova në rajon prin pas Shqipërisë për korrupsion, kurse vendet tjera të rajonit renditen pas Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i këtij instituti Lumir Abdixhiku, tha se tema për të cilën janë mbledhur për të diskutuar nuk është e re për Kosovën. Ai tha se vëzhgimi i mjedisit të korrupsionit dhe krijimit të politikave për luftimin e tij mbetet prioritet edhe i shoqërisë.

“Është dëshmuar se luftimi i korrupsionit jo vetëm në Kosovë por edhe në shtete tjera me karakteristika të njëjta të zhvillimit, është një mision jashtëzakonisht i vështirë për tu arritur”, deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, perspektiva, ndonëse e largët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian i jep Kosovës një kornizë udhëzuese për rrugëtimin që duhet ndjekur.

“Janë aktorët lokal ata mbi të cilët qëndron përgjegjësia për luftimin e korrupsionit. Korrupsioni kërcënon seriozisht barazinë në treg në sektorin privat, investimet, qasjen në shërbimet publike, dhe mbi të gjitha, sundimin e ligjit për mos zbatimin e dënimeve”, ka theksuar ai.

Ndërkohë në prezantimin e raportit me anketimin e 1 mijë respodentëve, hulumtuesja në institutin “Rinvest”, Ernisa Serhati tha se sipas gjetjeve, Qeveria e Kosovës është ajo që u prin degëve qeveritare më të korruptuara në vend.

Sipas saj, çdo i dyti qytetarë në bazë të anketës së realizuar ka pranuar se korruptohet, në kuptimin e dhënies së të hollave apo të ndonjë këmbimi tjetër për qasje në shërbime publike.

Përfaqësuesi  special për sundim të ligjit pranë zyrës së BE-së në Kosovë  Cezary Michalczuk, tha se korrupsioni është i pranishëm në Kosovë, por ai ka kërkuar ndryshimin e Kodit Penal që fuqizon më shumë luftën ndaj korrupsionit.

Andrew Rusell, koordinator dhe përfaqësues rezident për Kosovë i UNDP-së tha se korrupsioni është një sistem më shumë se sa një akt që dikush kryen. Prandaj, dështimi për të kuptuar ndërlidhjen mes faktorëve të ndryshëm të sistemit, është dështim për ta adresuar atë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme