Stavileci: E-Qeverisja promotor i zhvillimit ekonomik

Prishtinë | 19 Kor 2016 | 16:41 | Nga

E-Qeverisja ka për synim ofrimin e shërbimeve më cilësore nga administrata publike për qytetarët, bizneset dhe vet administratën. Kështu u tha sot gjatë prezantimit të projektit të Ministrisë së Administratës Publike – Studimi i Fizibilitetit për e-Qeverisje dhe Investimet në TIK për IRK të financuar nga Banka Botërore.

Të pranishëm me këtë rast ishin përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, sektorit të TI-së dhe donatorët potencial për zhvillimin e TIK, të cilët vlerësuan rëndësinë e zhvillimit të këtij sektori.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci vlerësoi se kontributi për zhvillimin e sektorit të IT-së varet si nga sektori privat po ashtu edhe nga sektori publik si mundësues i një ambienti më të favorshëm për zhvillim, por njëkohësisht edhe vetshfrytëzues dhe ofrues i shërbimeve të qeverisjes elektronike si një domosdoshmëri e kohës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duke parë rëndësinë që ka sektori i TIK-ut këtë teknologji e konsideron një ndër prioritetet më të rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për një transformim strukturor kah një ekonomi dhe shoqëri e bazuar në dije”, tha ai.

Stavileci tha se MZHE muajin e kaluar ka lansuar Strategjisë Kombëtare të IT-së, e cila është hartuar në bashkëpunim me sektorin privat, botën akademike dhe mbështetjen e GIZ, Ambasadës Norvegjeze, dokument ky që adreson çështje të rëndësishme dhe detyrime të qarta për të gjitha palët në proces, në mënyrë që potenciali i Kosovës në ofrimin e shërbimeve të IT-së përtej kufijve të Kosovës të ndikojë në të ashtuquajturin transformimi digjital i popullatës sonë të re.

Ndërsa, Ministri i Administratës Publike Mahir Jagxhillar ka thënë se Studimi ngërthen në vete një analizë të hollësishme të të gjitha zhvillimeve të teknologjisë informative në institucionet e Kosovës.

Ndër rekomandimet kryesore të Studimit Yagcilar ka renditur: Zhvillimin e platformës që ndërlidh të gjitha sistemet elektronike të zhvilluara nga institucionet e Kosovës; Ndërtimi i qendrës së informimit në raste të fatkeqësive, me një lokacion të veçantë për ruajtjen e të dhënave për më shumë se një vend dhe distancë të nevojshme; dhe Implementimi nga fillimi i Portalit Qeveritar dhe i bizneseve i dizajnuar për shërbime për qytetarët.

Ministri i Financave, Abdullah Hoti, vlerësoi se TIK po trajtohet me prioritet nga Qeveria, ndërsa shtoi se këtë vit është bërë progres në aplikimin e shërbimeve elektronike, duke përmendur edhe zhvillimin e platformës elektronike për pagesën e tatimit në pronë etj. Ai tha se barra i bie Ministrisë së Financave që të sigurojë mjete financiare për ta mbështetur këtë proces.

Ministria e Administratës Publike në kuadër të Projektit të Modernizimit të sektorit Publik, ka zhvilluar projektin Studimi i Fizibilitetit për e-Qeverisje dhe Investimet në TIK për IRK të financuar nga Banka Botërore, studim ky që është kryer nga Novus- Ikub.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme