Stavileci: Në fund të korrikut do ta kemi Strategjinë për Energjetikë

Prishtinë | 07 Kor 2016 | 13:01 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka paralajmëruar se në fund të këtij muaji do të jetë e gatshme strategjia dhjetëvjeçare energjetikës. Këto komente ai i ka bërë në panelin diskutues të organizuar nga KFOS-i dhe Instituti Riinvest me temën, “Një Don Kishotizëm Modern – Pse nuk ka Kosova Strategji afatgjate energjetike”.

“Në fund të këtij muaji – më 29 korrik do ta kemi Strategjinë e energjetikës… dhe do të përfshihen shtatë alternativa për furnizim me energji elektrike, por gjithnjë duke pasur parasysh përballueshmërinë e tarifave apo çmimeve për konsumatorët”, ka thënë Stavileci.

Luan Shllaku, nga KFOS ka thënë se ka kohë që Kosova gjendet vazhdimisht e sfiduar nga zhvillimi i sektorit energjetik në njërën anë dhe nga shumë tentativa, të pa-përfunduara, për të sjellë investues të jashtëm në këtë sektor, në anën tjetër.

“Ka një dekadë që të gjitha forcat tona politike garojnë për të na treguar se e kanë zgjidhjen për këtë problem të madh zhvillimor të vendit, dhe ka po aq kohë, që këto forca politike, kur të vijnë në pushtet, tregojnë një pafuqi të plotë karshi kësaj sfide!”, ka theksuar ai.

Sipas tij, ajo që qytetarët kanë parë në këtë dekadë janë: mungesa e njohurive elementare tekniko-teknologjike, por edhe sociale dhe mjedisore, për të sjellë një opsion të qëndrueshëm në këtë sektor; mosrespektim i plotë i institucioneve demokratike të vendit gjatë hartimit dhe finalizimit të projekteve investuese; dhe mungesa e mekanizmave që do të aplikoheshin te Termocentralet e reja, për t’i siguruar vendit leverdi ekonomike nga ky atak në resurset nëntokësore.

“Të gjitha këto munden të sjelljen së bashku me një emërues të përbashkët: Vendim-marrësit kosovar në asnjë moment deri tash nuk e kanë pasur një vizion afatgjatë dhe të qartë të zhvillimit të këtij sektori në disa dekada të ardhshme, si parakusht i vetëm dhe i domosdoshëm për të planifikuar këto investime miliardëshe në vend”, ka thënë Shllaku.

Zëvendës shefi i sektorit për bashkëpunim i Komisionit Evropian, Libor Chlad, ka theksuar se Kosova ka ambicie që t’i bashkohet tregut energjetik të Bashkimit Evropian (BE). Ai ka theksuar se BE vazhdon ta mbështesë Kosovën në sektorin e energjetikes.

“Kur shikoni gjendjen në Evropë ka shumë opsione, ne dëshirojmë të rrisim efikasitetin në mënyrë të trajtojmë mjedisin. Kjo mund të behet në mënyra të ndryshme, nuk duhet të harrojmë se sa kushton, por  është me rendësi që Kosova ta bëj mendjen top dhe të ndjek një vizion kredibil. BE-ja do të jetë këtu dhe vazhdon të mbështesë Kosovën në sektorin energjetik”, ka thënë ai.

Të ngjashme