Studimi i fizibilitetit për ngrohjen qendrore në Drenas nis në tetor

Prishtinë | 23 Mar 2017 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Studimi i fizibiliteti për ngrohje qendrore në Komunën e Drenasit pritet të fillojë rreth muajit tetor të këtij viti.

Kështu janë pajtuar kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci bashkë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavilecin pas takimit që zhvilluan në Komunën e Drenasit, raporton Ekonomia Online.

Lladrovci tha se biseduan për mundësinë e fillimit të fizibilitetit për ngrohjen qendrore në këtë komunë.

“Ju e dini që këtë projekt e kemi biseduar edhe më herët kështu që sot u dakorduam që dikund rreth muajit tetor të fillojmë me studimin e fizibilitetit dhe ta dimë një kosto të përafërt të përmbushjes së projektit për ngrohjen e qytetit të Drenasit”, ka thënë ai.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, tha se këtë vizitë e shfrytëzojë për t’u njohur nga afër për projektet të cilat do të mund t’i bëjnë bashkërisht në veçanti ato të cilat lidhen me sektorët vital.

“Ju e dini se ne si ministri po bëjmë zgjidhje në këta sektorë sidomos në atë të ujërave dhe atë të energjisë. Për neve është e rëndësishme edhe komponentë e ngrohjes qendrore. E dini që kemi pasur një projekt shumë të rëndësishëm me ngrohtoren e qytetit të Prishtinës dhe ideja ka qenë që projekte të tilla të nisin edhe në komunat e tjera, sidomos në ato komuna ku edhe për shkak të faktorëve të tjerë është rasti i kësaj komune që e ka Ferronikelin. T’i shfrytëzojmë edhe burimet e tjera në mënyrë që banorët e Dreanasit por edhe të komunave të tjera që të kenë mundësi të përfitojnë nga ngrohja qendrore dhe menjëherë kemi kaluar në veprime konkrete ashtu siç e biseduam edhe në zyre”, ka thënë ai.

Sipas tij në bashkëpunim me MMPH, Komunën dhe Ferronikelin do të mundohen t’i gjejnë mundësitë e financimit për studim të fizibilitetit.

“Në kuadër të kornizës së investimeve në mënyrë që pastaj të ketë edhe financim për shkak të këtyre lehtësive që i thash do e nisim me Komunën e Drenasit por që natyrisht ne nuk do të ndalemi vetëm në këtë komunë, sepse janë edhe disa komuna të tjera të cilat mund të kenë projekte të ngrohjes. Përndryshe ngrohja është edhe njëra nga objektivat që ne i kemi vënë vetes edhe në strategjinë dhjetë vjeçare që e kemi përgatitur për sektorin e energjisë 2017-2026 por normalisht qe ky është një projekt shumë konkret nga i cili do të përfitojnë qytetarët e Drenasit, por nuk do të jetë i vetmi dhe ashtu siç e biseduam ka edhe një varg projektesh të tjera që do ti nisim bashkërisht me Komunën e Drenasit”, ka theksuar Stavileci.

Ministri Stavileci ka pohuar se jo vetëm Komisioni Evropian por edhe partnerë të tjerë kanë shprehur gatishmëri  për të ndihmuar sektorin e ngrohjes.

Të ngjashme