Berjani: Të kontrollohet cilësia e naftës që hyn në Kosovë

Prishtinë | 14 Maj 2018 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, tha se në Kosovë sfidë mbetet moskontrollimi i cilësisë së naftës pasi, sipas tij, as tre për qind e saj nuk është kontrolluar, kurse sa i takon çmimit të saj në Kosovë, kjo lëvizë sipas çmimit në tregun ndërkombëtar.

Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Berjani, fillimisht tha se çmimi i naftës në Kosovë është më i ulëti në rajon, duke sqaruar edhe faktin se muajve të fundit ka një rritje e letë e çmimit të naftës në treg, por këtë sipas tij, këtë e cakton ekonomi e tregut dhe nuk varët nga shitësit e naftës te ne.

Ajo që vërehet te ne, thotë Berjani, është fakti se kur bëhet ngritja e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, te ne kjo bëhet shumë shpejt, kurse kur bie çmimi, kjo te ne ndodhë shumë ngadalë.

“Çmimi i naftës në Kosovë është thuajse më i ulëti në rajon, nën 1.1 euro për litër, kurse para dy vitesh ka qenë deri në 1.2 euro për litër. Me shtete në rajon, jemi me çmimin më të ulët, me rreth 10 centë,vetëm në Maqedoni çmimi është më i lirë, për 3 centë për litër”, thotë ai.

Berjani apelon që, të ndalohet furnizohemi me gaz nga Serbia, sepse ajo e importon atë nga Gazpromi i Rusisë, i cili sipas tij, ka embargo nga vendet e Perëndimit.

Berjani tha se, vetëm tre për qind e naftës e cila hynë në Kosovë, kontrollohet nga Dogana e Kosovës në kufi. “E kemi ngrit zërin për këtë çështje, kjo është mjaft shqetësuese kontrollimi i naftës e cila hynë në Kosovë, duhet të shpeshtohen mostrat dhe të kontrollohet cilësia e saj”, ka thënë ai.

Kualiteti i naftës te ne, sipas tij, është kualitet si i vendeve në rajon, por duhet të kontrollohet cilësia e saj në kufi, duhet të rritet kontrolli i naftës nga 3 për qind në 30 për qind”, thotë Berjani.

Ai po ashtu tha se presin nga Qeveria Haradinaj, që ta miratojë sa më shpejtë Ligjin e ri për naftën, i cili do të rregullonte shumëçka në këtë sektorë.

Berjani tha se, rreth 40 pika shitje të naftës në veri të vendit operojnë pa licencë, “këtë e din edhe kryeministri, por ende nuk ka një hap konkret për të përmirësua këtë gjendje”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme