Shpella “Bukuroshja e Fjetur”, një bukuri e rrallë natyrore

shpella
Pejë | 06 Dhj 2016 | 22:13 | Nga Ekonomia Online

Zhvillimi ekonomik i një vendi varet shumë edhe nga resurset natyrore që posedon ai vend, qofshin nën apo mbi tokësore. Në këtë aspekt, Komuna e Pejës mund të krenohet me resurset natyrore që posedon, ngase ua mundëson edhe masivi i bjeshkëve të Nemuna.

Grykat madhështore të kësaj komune, si ajo e Rugovës dhe Radacit, paraqesin boshte të zhvillimit dhe integrimit ndërkufitar. Rruga që lidh Pejën me shtetin fqinjë, atë të Malit të Zi, përkatësisht me Rozhajën, kalon nëpër Grykë të Radacit, që ofron atraksione të rralla turistike. Të kalosh nëpër këtë Grykë, është e pa mundshëm mos të ndalosh dhe të shijosh vendet e bukura natyrore, qoftë të krijuara nga vet natyra, apo edhe nga investimet e bëra me qëllim të zhvillimit turistik.

Objektet hoteliere të ndërtuara përgjatë rrjedhës së Lumit, tashmë të njohur, “Drini i Bardhë”, (gjithnjë duke ruajtur bukuritë natyrore), ofron hapësira të rehatshme për vizitorët të cilët shkojnë për të vizituar dhe shijuar edhe monumentet e natyrës që janë të njohura, jo vetëm në Kosovë. Është e pamundur të kalosh nipër këtë Grykë, e mos të ndalosh që të shohësh “Ujëvarën e Drinit”. Janë të pa shmangshme fotot të pamjeve të rrjedhës së këtij Lumi, apo edhe të mos ecësh shtigjeve turistike të ndërtuara enkas për qytetar, për të shijuar ajrin e pastër të Bjeshkëve të Nemuna.

Një rrugëtim për shijim dhe njohje me këtë Grykë turistike dhe monumentet e natyrës, kishim marrë edhe ne, një grup studentësh të Universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës, përkatësisht të studimeve post-diplomike në Menaxhim të Mjedisit, e të shoqëruar edhe nga profesori Ahmet Haxhiaj.

Rrugëtimi ynë i bërë për qëllime studimore dhe rekreative, ishte i drejtuar kah, “Bukuroshja e fjetur”, apo Shpella e Radacit, e cila po shndërrohet në atraksion të vërtet për vizitor. Gjatë udhëtimit tonë për këtë vlerë të jashtëzakonshme natyrore, ishte e pa shmangshme ndalesa për të “Ujëvara e Drinit”, që të jep freskinë natyrore dhe shpirtërore. Edhe në këtë kohë, te kjo bukuri natyre, gjetëm shumë të rinj, të moshuar, por edhe familjar me fëmijët e tyre, që kishin shfrytëzuar këto hapësira për kremtim të ndonjërës nga ngjarjet e lumtura, qoftë ditëlindje, fejesë apo edhe të ardhur nga Shqipëria.

Sapo i ofrohemi kësaj bukurie të rrallë natyrore, hasim në mikpritjen e atyre që përkujdesën për të dhe shoqërojnë vizitorët në brendësinë e saj, duke dhënë sqarime dhe informacione të bollshme. Kështu, edhe ne ishim të shoqëruar nga djaloshi simpatik dhe i trajnuar në mënyrë profesionale, Shënd Bilalli, i cili me një elegancë të pashoq dhe retorikë të perfeksionuar, shpjegon për gjithë atë dukuri natyrore.
Shpella e Radacit, apo siç po quhet “Bukuroshja e fjetur gjendet pranë burimit të Drinit të bardhë, afër 11 kilometra larg qytetit të Pejës. Hyrja e shpellës është e orientuar nga veri-lindja, e cila gjendet në lartësinë mbidetare prej 578 metra. Shpella është krijuar kryesisht nga rrjedha e Drinit të Bardhë, që dikur kalonte neper këto korridore por, me kohë uji ka ndryshuar rrjedhën e tij dhe uji nuk kalon më. Si rezultat i rrjedhës së ngadalshme të ujit janë krijuar edhe vaskat të cilat edhe njëherit paraqesin edhe pjesën më të veçantë të shpellës. Shpella ka dy hyrje të ashtuquajtura hyrja e ftoftë dhe hyrja e ngrohtë.

Shpella është e gjatë 2.1 kilometra mirëpo, vizitorët mund të vizitojnë korridorin rreth 300 metra gjatësi. Shpella në brendësi ka tri galeri, (galerinë hyrëse, qendrore dhe e vaskave). Shpella është e dekoruar me stalagmite dhe stalaktite më përbërje mermeri dhe gurë gëlqere dhe në brendi të saj ka edhe liqene të vogla.

Hulumtimet e para për shpellën e Radavcit kanë filluar përafërsisht rreth viteve 60-ta, prej ekspertëve jugosllav, ku pjesëmarrës në këto hulumtime kanë qenë edhe disa bjeshkatarë të shoqatës “Gjeravica” në Pejë. Në vitin 2002, kanë filluar hulumtimet e para nga speleologët e shoqatës “Aragonit”. Ndërsa, në vitin 2006, këtyre hulumtimeve u janë bashkëngjitur edhe speleolog nga shtetet e Evropës, nga Çekia, Sllovakia dhe Polonia, edhe pse hulumtimet vazhdojnë, duke u organizuar ekspedita të ndryshme me speleolog nga vende të ndryshme të botës. Shpella është hulumtuar edhe nga arkeologët vendas të cilët kanë vërtetuar se, mijëra vite më parë, kjo shpellë ishte e banuar. Po ashtu duhet përmendur se në brendi të shpellës jetojnë katër lloje të lakuriqëve, e të cilët jetojnë ndaras në hapësirat e kësaj shpellë. Edhe pse kjo shpellë ishte e hulumtuar shumë kohë më parë, nuk ka qenë e njohur për qytetarët. Mirëpo, projekti i “Aragonit”, të përkrahur nga “Swiss Contact” dhe Komunës së Pejës, po bën që kjo Bukuroshe, të jetë në agjendën e çdo turiti vendor dhe ndërkombëtar, por edhe duke mundësuar punësimin dhe zhvillimin lokal, sidomos hotelerisë.

Largimi nga “Bukuroshja e fjetur” dhe bukuritë natyrore të Grykës së Radacit, ishte me ndjenjën që së shpejti të kthehemi dhe sërish të kënaqemi me natyrën e bukur të Pejës, me gurgullimën e ujit të “Ujëvarave të Drinit të Bardhë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme